Vikendi në Urban FM tash e tutje është edhe i librit, krahas muzikës e sportit
Prej 18 shkurtit, çdo të diel, në Radion Urban FM ka filluar projekti i audiolibrave “Çdo vikend, lexojmë e dëgjojmë bashkë”, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Katër vikendet e para, prej orës 10:00 sjellin ‘Kosovacalypse’ të autorit Artrit Bytyçi përmes katër tregimeve që janë pjesë e këtij libri.
Kosova e gjendur para murtajës, para vdekjes, para një lufte; duhet me patjetër ta dëgjoni të lexuar penën e Artritit, lexuar prej vetë tij përmes këtyre tregimeve utopike.
Në kuadër të këtij projekti do të vijnë edhe dy libra të tjerë në formën e audiolibrit. Edhe këto dy libra do të transmetohen vikendeve.
Në rast që nuk keni mundësi ta dëgjoni leximin e transmetuar në radio të këtij libri dhe të librave të tjerë, mund t’i dëgjoni të plotë edhe në kanalet e Urban FM në Youtube dhe në Spotify.