Promovohet libri i Primo Levit
Mbrëmë në Prishtinë është promovuar libri i autorit të njohur italian Primo Levi “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”.
Levi në këtë libër flet për kampet e përqendrimit, duke u nisur nga përvoja e tij personale si i burgosur në Auschwitz, në kampin nazist të shfarosjes, kurse përkthimi në gjuhën shqipe është bërë nga Aida Baro, e cila ka një përvojë mbi dhjetëvjeçare në fushën e botimeve.
Për të diskutuar rreth librit, në hapësirat e Librarisë “Dukagjini”, panelistë ishin përkthyesja Aida Baro, presidenti i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Primo Levi në Torino, Fabio Levi, dhe historiani Durim Abdullahu.
Në mesin e shumë pjesëmarrësve të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri Hajrulla Çeku, ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu dhe u.d sekretari i MKRS, Xheladin Krasniqi.
Libri është njohur dhe pranuar botërisht si një vepër e lartë mbi natyrën e së keqes dhe atë të njeriut, dhe është shkruar në vitin 1986, një vit para se Levi t’i jepte fund jetës së tij.
Botimi i librit “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.