Funksionalizimi i Kullës së Ministerit

03.02.2024

Kulla e Ministerit në Pejë do të funksionalizohet dhe do të jetë në shfrytëzim të MKRS-së për 10 vitet e ardhshme.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në ambientet e Kullës kanë nënshkruar memorandumin që mundëson që ky monument të funksionalizohet duke e shndërruar në hapësirë multi-funksionale në shërbim të qytetarëve.

Ky monument i rëndësisë së veçantë, aset në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, është në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Përmes aktit të nënshkrimit, kjo ministri do t’ia ofrojë ndërtesën në shfrytëzim MKRS-së për një periudhë 10 vjeçare.

Në anën tjetër, MKRS-ja do të siguroj mbështetje financiare për funksionalizimin e Kullës, projekt i cili do të realizohet në përputhje me ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të monumentit.

Kullla e Ministerit është restaururar në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialog ndër-komunitar dhe kohezion shoqëror”, të bashkë financuar nga Bashkimi Evropian – Zyra në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatuar nga Agjencia për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDP) – Zyra në Kosovë.

Nënshkrimi i memorandumit për shfrytëzim dhe funksionalizim, paraqet hapin e radhës në kuadër të politikave programore të Qeverisë, për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe shfrytëzimin e aseteve të trashëgimisë kulturore për shërbime publike, duke kontribuar në zhvillim ekomomik e social.

Prapa