Instituti për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Luftës

08.12.2023

Takimi i parë zyrtar i hapur i Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, dje u zhvillua tryeza e diskutimit me përfaqësues të institucioneve të ndryshme si dhe OJQ që janë marrë apo merren me hulumtimin e krimeve të kryera në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë tryezë diskutimi, mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, ministrat, Hajrulla Çeku dhe Albulena Haxhiu, Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, Kryetari i Komisionit Qeveritar për të pagjeturit, Andin Hoti, përfaqësues nga institucione tjera si dhe organizata të shoqërisë civile.

Tryeza u fokusua në diskutimet lidhur me rolin, misionin dhe planet e institutit, që do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Institucionet dhe organizatat e pranishme, ofruan përkrahjen e plotë për institutin gjatë procesit të funksionalizimit dhe ngritjes operacionale të punës e të projekteve që e presin, me qëllim të realizimit të mandatit ligjor të tij.

Në përfundim, Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi dhe Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës parashikohet kuadri i bashkëpunimit reciprok të të dy institucioneve, që ndajnë shumëçka të përbashkët në rolin, misionin dhe kapacitetet profesionale.

Të dy drejtuesit e institucioneve, nënvizuan peshën dhe rëndësinë e bartjes së ekspertizës së grumbulluar për dekada me radhë të ASHAK tek Instituti i porsathemeluar me një mandat kaq të rëndësishëm.

Prapa