Kosova përfaqësohet në Lojërat Paralimike Paris 2024 me dy paraatletë

MKRS mbështetë financiarisht pjesëmarrjen e parë të paraatletëve të Kosovës në Lojërat Paralimpike Paris 2024.
Komiteti Paralimpik i Kosovës së fundi është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Evropian dhe Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, duke i mundësuar kështu paraatletëve tanë që në vitin e ardhshëm të garojnë për herë të parë në Lojërat Paralimpike që do të mbahen në Paris, duke gëzuar të drejta të plota.
Përmes memorandumit të nënshkruar sot nga ministri Hajrulla Çeku dhe presidentja e KPK-së, Njomza Emini, Ministria e Sportit mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës me qëllim të përgatitjes së ekipit paralimpik të Kosovës për pjesëmarrjen në Paris.
Në Lojërat Verore Paralimpike 2024 pritet që të marrin pjesë mbi 160 shtete me më shumë se 4000 parasportistë, të cilët do të garojnë në 22 sporte të ndryshme. Kosovën në këtë ngjarje pritet ta përfaqësojnë dy parasportistët, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha.
Në dy vitet e fundit, mbështetja për Komitetin Paralimpik të Kosovës është shumëfishuar në krahasim me vitet paraprake, sidomos pas vendimit të Qeverisë që viti 2022 i ishte dedikuar personave me aftësi të kufizuara.