Për herë të parë MKRS rinovon 11 stadiume të futbollit, me një vlerë prej mbi 1 milionë e 100 mijë euro

13.08.2012

Në një konferencë për shtyp, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi tha se ky është një nga lajmet më të mira që ka marrë i gjithë komuniteti sportiv në Kosovë, dhe se tashmë do të ndryshojë ndjeshëm gjendja në terrenet sportive dhe të rinjtë do të kenë gjithnjë e më shumë hapësirë për të shprehur talentin e tyre. Për më tepër shtoi ai, Republika e Kosovës po krijon kushtet e nevojshme për zhvillim të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, tash kur FIFA-a ka lejuar ndeshjet miqësore për reprezentacionin dhe ekipet e Kosovës.

“Sivjet investimet kapitale në sport janë një top prioritet i yni dhe vërtetë ndryshimet do të jenë të ndjeshme, aq më tepër kur e kemi parasysh se investime të tilla, milionëshe, po bëhen për herë të parë në Republikën e Kosovës, do të thosha në këto 20 vjetët e fundit. Këto investime vijnë si rezultat i rritjes së vazhdueshme të buxhetit për sport, përfshirë edhe gjatë rishikimit në qershor të këtij vitit, me ç’rast buxheti i MKRS-së për infrastrukturë sportive është rritur për mbi 1 milionë euro”, ka thënë ministri Krasniqi, teksa ka thënë se këtë vit fokus kanë qenë stadiumet ku zhvillohen garat e Superligës. “Kjo është bërë në bashkëpunim me federatën dhe me komunat dhe natyrisht që vitin tjetër në një bashkëpunim të tillë, do të vazhdojmë investimet edhe në stadiumet tjera”, ka thënë ai. Ministri ka shtuar se përveç këtyre investimeve direkte të MKRS-së në stadiume, tashmë shumë shpejt pritet të fillojë edhe ndërtimi i gjashtë stadiumeve ndihmëse të futbollit, një donacion prej 3.5 milionë eurove nga Komisioni Evropian. Ai tha se Kosova do të ketë edhe një stadium nacional, por për këtë tha ai, do të ketë një koordinim të mirë me të gjitha institucionet relevante të sportit, qeverisë qendrore e lokale.

Në fjalën e tij, ministri ka thënë po ashtu se shumë shpejt do të jetë gati edhe Ligji për sponsorizime dhe donacione, me ç’rast do të ketë mundësi dhe lehtësime për sektorin privat që të investojë në sport.

Përveç infrastrukturës, Ministri Krasniqi tha se MKRS do të vazhdojë të mbështesë federatat në angazhimet e tjera, si në organizim të garave, kampingje, paraqitjet ndërkombëtare dhe çfarëdo angazhimi tjetër nacional.

Investimet

Janë 500 mijë euro që do të investohen në rinovimin e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, Ministri tha se ky është një stadium që në Kosovë, bashkë me stadiumin e qytetit në Prishtinë, ka parametrat me të përafërta për të plotësuar kushtet për zhvillim të ndeshjeve ndërkombëtare.  “Dua t’ju them se ne kemi planifikuar që të bëjmë rinovim të tërësishëm të këtij stadiumi dhe kjo është vetëm faza e parë e punëve. Ne presim që vitin e ardhshëm të vazhdojë rinovimi, deri në bërjen e një stadiumi vërtetë të kompletuar për ndeshje ndërkombëtare”, ka thënë ministri, teksa ka prezantuar investimet në stadiumet tjera, palestra dhe poligonet të cilat janë si vijojnë:

Rinovimi  i Stadiumit të Qytetit në Prizren, investimi i planifikuar rreth 120 mijë   eurove.

Rinovimi  i Stadiumit “Riza Lushta” në Mitrovicë, investimi i planifikuar rreth 40 mijë eurove.

Vazhdimi i rinovimit të Stadiumit të Qytetit në Pejë, investimi i planifikuar rreth 60 mijë euro

Rinovimi  Stadiumit në Gjakovë, investimi i planifikuar rreth 45 mijë eurove.

Rinovimi i Stadiumeve në Shtime, investimi i planifikuar rreth 70 mijë eurove

Rinovimi i stadiumit në Kaçanik, investimi i planifikuar rreth 35 mijë eurove

Rinovimi i Stadiumit të Qytetit në Skenderaj, investimi i planifikuar rreth 150 mijë eurove

Rinovimi i Stadiumit Flamurtari në Prishtinë, investimi i planifikuar rreth 30 mijë eurove

Rinovimi i stadiumit në Fushë Kosovë, investimi i planifikuar rreth 30 mijë euro.

Rinovim i stadiumit të klubit Hysi në Podujevë, investimi i planifikuar rreth 35 mijë eurove.

Përveç në rinovim të stadiumeve, MKRS ka shtuar investimet edhe në rinovimin e palestrave sportive. Me qëllim të rifunksionalizimit të Palestrës “1 Tetori’ në Prishtinë, janë ndarë 100 mijë euro për rregullimin në tërësi të parketit, një bashkëfinancim me Qendrën e Studentëve.

Me një investim prej rreth 20 mijë eurove do të rinovohet pjesërisht palestra sportive në Gjilan, ndërsa rreth 60 mijë euro do të investohen në Palestrën në Ferizaj.

Në bashkëfinancim me Komunën e Pejës do të ndërtohet Salla Sportive moderne në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, në vlerë prej rreth 450 mijë eurove e ku MKRS merr pjesë me 60% të investimit.
 
Në pajtim me objektivat e MKRS-së për zhvillimin e sportit shkollor, këtë vit MKRS ka ndarë rreth 200 mijë euro për ndërtimin dhe rinovimin e poligoneve sportive në disa fshatra të komunave të ndryshme të Kosovës. Përfitues do të jenë:

Fshati Novosellë, Komuna e Pejës;  Fshati Cernicë, Komuna e Gjilanit;  Fshati Polluzhë, Komuna Drenas;   Fshati Oshlan, Komuna Vushtrri;   Fshati Veriq, Komuna  Istog;  Fshati Broliq, Komuna e Pejës;  Fshati Smolicë, Komuna e Gjakovës;   Fshati Prelez, Komuna e Ferizajt dhe  Fshati Qubrel, Komuna Skenderaj.

Këtë vit ka nisur edhe ndërtimi i Qendrës Multifunksionale në Mitrovicë, një projekt që bashkëfinancohet mes Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian, dhe investimet janë rreth 22 milionë euro. MKRS në tërësi për projektin ka ndarë 8.5 milionë euro. 4 milionë euro janë ndarë këtë vit, dhe pjesa tjetër ndahet vitin e ardhshëm. Komisioni Evropian financon pjesën tjetër të shumës.
 

Prapa