Organizatat parasportive do të kenë mbështetje për rritje të kapaciteteve

13.09.2023

Zëvendësministrja Daulina Osmani sot u takua me përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës në krye me presidenten Njomza Emini dhe përfaqësuesit e Federatave Parasportive të themeluara në Kosovë.

Aty u diskutua për zhvillimin e mëtejmë të organizatave parasportive, licencimin e tyre në përputhje me Udhëzimin Administrativ për licencim, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e parasportit në Kosovë.

Zëvendësministrja Osmani theksoi që bashkëpunimi institucional për rritjen e kapaciteteve të këtyre organizatave nuk do të mungojë, gjersa shtoi se nëpërmjet Ligjit të ri të Sportit, i cili është në hartim e sipër, po i jepet rëndësi e veçantë zhvillimit të parasportit.

Temë me fokus të veçantë ishte po ashtu edhe pjesëmarrja e para-atletëve të Kosovës në Lojërat Paralimpike \"Paris 2024\" dhe përfaqësimi sa më i denjë i vendit tonë, pasi që kjo është pjesëmarrja e parë e Kosovës në një ngjarje kaq të madhe ndërkombëtare, që u mundësua me anëtarësimin me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtarë gjatë vitit të kaluar.

Nga federatat parasportive u njoftua se tashmë ka filluar edhe procesi i ndërkombëtarizimit, ku disa prej tyre veçse janë anëtarësuar apo janë në proces të anëtarësimit në federatat përkatëse ndërkombëtare.

Në fund, u bë e ditur po ashtu që gjatë kësaj fundjave Komiteti Paralimpik i Kosovës do të organizojë Lojërat Parasportive të Kosovës, ku pjesëmarrës do të jenë rreth 400 parasportistë, përfshirë këtu edhe ata nga shtetet e rajonit si Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Prapa