Për herë të parë në Republikën e Kosovës licencohen dy shoqata për administrim kolektiv të së drejtës së autorit

12.07.2012

Një hap shumë i rëndësishëm për mbrojtën e së drejtës së autorit është bërë sot. Tashmë dy shoqata për administrim kolektiv të së drejtës së autorit, APIK-për fushën e muzikës dhe VAPIK-për fushën audio-vizuele, kanë marrë licencën nga Zyra për të Drejtën e Autorit, për të administruar këto të drejta, duke bërë në radhë të parë negociata me shfrytëzuesit e këtyre të drejtave.

Ka qenë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi, që sot ua ka dorëzuar licencat përfaqësuesve të këtyre shoqatave, z.Florent Boshnjaku nga APIK dhe z.Blerim Gjoci nga VAPIK. Ai u ka uruar atyre punë të mbarë dhe ka shfaqur bindjen se një shembull të tillë do ta ndjekin edhe krijues të fushave të tjera që përfshihen në të drejtën e autorit.

Ministri Krasniqi në konferencën për shtyp pas takimit me përfaqësues të këtyre dy shoqatave, shtoi se licencimi i këtyre shoqatave përben vërtet një hap të rëndësishëm për Kosovën, pasi kjo po ndodh për herë të parë pas më shumë se 20 vjet. “Është një hap ndoshta i vonuar, por na vjen mirë që me një angazhim të madh të zyrës për të drejtën e autorit dhe dy shoqatave të para për administrim kolektiv, kemi arritur të lëvizim gjërat nga vendi. Sot janë licencuar për herë të parë dy shoqata për administrim kolektiv të së drejtës së autorit.

Ne do të jemi një qind për qind të përkushtuar për të shtyrë këtë proces përpara, sepse u nevojitet autorëve, shoqërisë në përgjithësi dhe e afron Kosovën me standardet evropiane, sepse kjo fushë është një nga kriteret në rrugën tonë drejt integrimit evropian”, ka thënë ministri, teksa ka paralajmëruar hapa të tjerë të rëndësishëm në funksion të mbrojtjes më të mirë të krijimtarisë origjinale.

Ai është pyetur nga gazetarët edhe rreth Strategjisë kundër falsifikimit dhe piraterisë. “Strategjia është në përfundim. Ne kemi pasur disa takime, të udhëhequr nga Zyra për të Drejtën e Autorit dhe me ndihmën e çmuar të ekspertëve sllovenë, por edhe ekspertëve nga shtete tjera, ne besojmë se jo më larg së gjatë muajit gusht do ta kemi strategjinë të gatshme për të filluar implementimin e saj”.

E, më së shumti licencimit iu janë gëzuar vetë autorët. Blerim Gjoci, producent filmash, që përfaqëson shoqatën VAPIK , që administron të drejtat audio-vizuele, tha se një hap i tillë për të është vërtet historik. “Do të thosha se është vërtetët  historike kjo ditë për ne, sepse është njëmend historike! Për herë të parë pas 20 vjetësh, më në fund kjo ditë vjen. Unë e thash më herët se është dashur një vullnet i hekurt që të mbërrihet në këtë rast. Një falënderim për çdo zyre në këtë ministri, ministrin veçanërisht, që çdo herë kanë qenë të gatshëm të na ndihmojnë që ne të konsolidohemi si shoqatë”, u shpreh ai.

Po ashtu, edhe Florent Boshnjaku, kompozitor dhe përfaqësues nga shoqata APIK, që administron të drejtat në fushën e muzikës, tha se nuk ka qenë një punë e lehtë. “Dua ta falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, posaçërisht ministrin Memli Krasniqi për punën që kanë bërë dhe mbështetjen e dhënë. Ka qenë një punë jo e lehtë që të mbërrijmë deri këtu. Ka qenë një punë e madhe deri në këtë moment nga Zyra për të Drejtën e Autorit. Fatmirësisht jemi në një ditë shumë me rendësi për të gjithë autorët në fushën e muzikës dhe, prej sot nis një obligim m? i madh i të gjithë neve dhe ne shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim me shfrytëzuesit e muzikës dhe për një kohë të shkurtër do të jemi shtet shembull në rajon”, u shpreh ai.

Prapa