Kongresi Ndërkombëtar “Arkeologjia e Ballkanit”

17.11.2022

Sot, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ka filluar punimet Kongresi Ndërkombëtar “Arkeologjia e Ballkanit”.

Ky kongres shkencor ka për qëllim të shpalos të dhëna rreth studimit, bashkëpunimit dhe të arriturave të përbashkëta për zbulimet arkeologjike të gjetura në këto kohë në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.

Temat që do të trajtohen janë parahistoria dhe protohistoria, ritualet funerare dhe kultura aristokrate, ekonomia dhe shkëmbimet kulturore dhe qytetet helenistike dhe romake.

Për të diskutuar këto zbulime arkeologjike janë mbledhur një numër i madh arkeologësh të Ballkanit, të cilët punojnë në kuadër të projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin sekretari i MKRS-së, Feim Hoxha, këshilltarja e ministrit Çeku, Nora Arapi Krasniqi, rektorja e Universitetit të Prishtinës, Luljeta Plakolli-Kasumi, kryetari i Komisionit për Arsim dhe Kulturë, Ardian Gola, Arben Hajdari, profesor në UP, përfaqësuesi i Ecole Normale Superiore, Christophe Goddard, drejtoresha e departamentit të trashëgimisë kulturore në MKRS, Vjollca Aliu, arkeologë dhe studentë të UP-së.

Përmbyllja e Kongresit do të bëhet me vizita në lokalitetet e trashëgimisë kulturore arkeologjike në Kosovë.

Prapa