Kosova, shtet i xhudos

01.10.2022

Programi “Kosova, shtet i xhudos” që ka për qëllim zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos u miratua në Qeverinë e Kosovës dhe u shpalos mbrëmë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës.

Shuma që parashihet për zbatimin e programit në periudhën pesëvjeçare është 12 milionë euro. Këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtim të infrastrukturës adekuate fizike për zhvillimin e këtij sporti, zhvillimin e programeve për trajnimin e trajnerëve, integrimin e sportit të xhudos në arsimin para universitar, sigurimin e masave lehtësuese për sportistët elitarë në sportet luftarake si dhe për zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare në sportin e xhudos.

Në ceremoninë e lansimit morën pjesë, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, trajneri i xhudos Driton Kuka, kampionet në xhudo Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, e xhudistë të tjerë, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, deputetë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë dhe sportdashës.

Prapa