Zhvillimi i turizimit përmes trashëgimisë shpirtërore

01.10.2022

Ministri Çeku mori pjesë në konferencën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?”, që u mbajt në Kino Lumbardhi në Prizren ndërsa u organizua nga EC ma ndryshe.

Në këtë konferencë janë diskutuar mundësitë, potencialet dhe nevoja e promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me përfaqësues të institucioneve, profesionistët nga fusha e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, përfaqësuesit e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, bizneseve e medieve.

Gjithashtu janë prezantuar edhe rezultatet e projekteve “Hartëzimi i Turizmit Rural në Jug të Kosovës” si dhe “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës”, si kontribut i radhës në dokumentimin, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore të rajonit jug, duke përfshirë komunat: Prizren, Rahovec, Mamushë, Dragash, Suharekë dhe Malishevë.

Ministri Çeku, i cili ishte pjesë e panelit të dytë në konferencë ka theksuar se trajnimi për artizanatin e “dollamave” është një formë konkrete e mbrojtjes së pasurisë shpirtërore.

Ministri ka thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, sikurse edhe në sektorët tjerë.

Të dy këto projekte janë ideuar në atë mënyrë që të rrisin ndërgjegjësimin e institucioneve vendore dhe qendrore për konceptin ende të pazhvilluar dhe të paeksploruar tërësisht të turizmit rural në njërën anë, dhe atë të promovimit të trashëgimisë shpirtërore në anën tjetër, si faktor të qëndrueshëm që ofrojnë edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.

Prapa