Ndahen libra, pasurohen 32 biblioteka komunale me tituj të ndryshëm

30.09.2022

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 394 titujve të librave dhe 19 revistave letrare për 32 biblioteka komunale të cilat janë financuar nëpërmjet thirrjes publike për përkrahjen e botimit dhe blerjes së librave dhe revistave letrare.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha që MKRS-ja do të vazhdojë të qëndrojë afër botuesve, shkrimtarëve, bibliotekave dhe institucioneve komunale kulturore.

Gjithashtu ka treguar edhe për programin “Rrjeti Bibliotekar në Republikën e Kosovës”, angazhim ky i përbashkët i MKRS, MASHTI dhe MAPL, i cili mbi të gjitha ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të materialit bibliotekar në nivel vendi si dhe qasje në formë elektronike në titujt e arkivuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe bibliotekat publike lokale.

Në mënyrë simbolike, ministri Çeku ka ndarë titujt për bibliotekën e Preshevës, Bibliotekën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atë të komunës së Kamenicës.

Të pranishëm në ngjarje ishin edhe drejtoresha e departamentit të kulturës në MKRS, Jehona Shyti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, anëtarë të Këshillit Drejtues të Librit, përfaqësues të Bibliotekës së Preshevës, drejtorë të bibliotekave komunale, botues dhe libërdashës.

Prapa