Manifesta 14, një narracion ndryshe për Kosovën
Në Grand Hotel në Prishtinë, u mbajt konferenca zyrtare për media e edicionit të 14-të të Bienales Manifesta, ngjarje kjo që do të fillojë zyrtarisht nesër.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku në fjalën e tij hyrëse tha se është tejet i lumtur që është pjesë e një qeverie që e kupton drejt rolin e kulturës. “Duke filluar nga kryeministri Albin Kurti e deri te shumë dikastere të qeverisë së Kosovës, angazhimi dhe mbështetja kanë qenë maksimale. Natyrisht, barra më e madhe i takon Ministrisë së Kulturës, e cila ka angazhuar burime të konsiderueshme njerëzore, si nga kabineti ashtu edhe nga administrata për t’u siguruar që gjithçka është duke shkuar sipas planit” tha ministri.
Ministri Çeku po ashtu shtoi që nuk po organizojmë vetëm një bienale. “Të gjithë ne bashkërisht po e zhvillojmë një narracion ndryshe për Kosovën tonë. Një narracion me jehonë botërore, brenda të cilit ka art e transformim të hapësirave publike, ka rini e komunitet, ka energji e pozitivitet. Në të njëjtën kohë ka edhe paradokse. Banorët e Kosovës e cila organizon Manifestën, nuk mund të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë. Manifesta është edhe lobimi ynë politik për të ecur pa u diskriminuar në rrugën tonë integruese evropiane. Manifesta është edhe kërkesa jonë legjitime për trajtim të barabartë me popujt e tjerë në rajon dhe në Evropë”.
Në këtë edicion të bienales Manifesta do të marrin pjesë 102 pjesëmarrës nga 30 shtete të botës, ku 40 pjesëmarrës do të jenë nga Kosova me ç‘rast do të prezantohen 45 vepra të reja të punuara për Manifestën.
Folës të tjerë në konferencë ishin kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtoresha e Manifestas, Hedwig Fijen, kuratorja Catherine Nichols dhe arkitekti Carlo Ratti.