Arritjet e deritashme në kulturë

20.07.2022

Një pjesë e shkëputur nga fjalimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 89-të të Qeverisë.

“Nga e premtja, vendi ynë për herë të parë do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, bienales nomade “Manifesta”. Mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Manifesta sivjet ka një program 100 ditor, që përfshin 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë. Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë sonë, të komunitetit artistik dhe të institucioneve tona për të mirëpritur një numër kaq të madh të artistëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor. Përveç aspektit kulturor, padyshim se Manifesta do të jetë edhe mundësi tejet e mirë e promovimit të vendit, vlerave dhe të artit tonë.

Duke marrë shkas këtë ngjarje të rëndësishme kulturore më lejoni që shkurtimisht të ndaj me ju disa prej arritjeve tona kryesore të deritanishme në fushën e Kulturës:

– Po bëhen hapa konkret në reformimin e kornizës ligjore. Për herë të parë është bërë një analizë e mirëfilltë nga një plejadë e akterëve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, organizatave jo-qeveritare dhe komunitetit të gjerë kulturor dhe artistik me qëllim hartimin e koncept-dokumentit për Kulturë të cilin shumë shpejtë do ta sjellim për votim në mbledhje të Qeverisë.

– Kemi themeluar institucionin e Operës së Kosovës. Kosova për herë të parë ka program vjetor të Operës për vitin 2022. Programi vjetor i Operës ka përfunduar me sukses paraqitjen me performanca dhe prezantime edukative mbi edukimin operistik për fëmijë “Edu Opera” në 10 shkollat publike të muzikës në Kosovë.

– Është arritur dhe miratuar në Qeveri marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e ri të Bashkimit Evropian “Creative Europe” për periudhën 2021-2027. Ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, dhe njëherit fuqizon pozitën e Republikës së Kosovës në hartën kulturore evropiane.

– Me qëllim të avancimit të arteve pamore në Kosovë, në vazhdën e punës për themelimin e muzeut të artit bashkëkohor është formuar Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, i cili ka filluar punën me qëllim të themelimit të institucionit të Muzeut, krijimit të sistemit organizativ, konceptit dhe programit, si dhe përgatitjen e koleksionit të Muzeut.

– Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kemi hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues. Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës.

Pra, Kosova po hyn në hartën botërore për kulturë. Artistët tanë janë punëtorë dhe talentë. Ata me punën e tyre kanë arritur që emri Kosovë të thirret disa herë në skenat e famshme kulturore. Qeveria është këtu për infrastrukturë. Ne do t’i krijojmë kushtet që talentet e reja dhe artistët aktualë të mos brengosen për asgjë tjetër përveçse inspirimit e thellimit në imagjinatën e tyre. Prandaj, edhe ardhja e festivalit “Manifesta” më gëzon shumë dhe kjo arritje jona na bën krenarë të gjithëve”.

Prapa