Ekipi i Kosovës që do të përfaqësojë vendin në Lojërat Mesdhetare Oran2022

21.06.2022

39 sportistë nga 13 sporte të ndryshme do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Mesdhetare Oran2022, nga data 25 qershor deri më 6 korrik 2022, ndërsa pjesë e ekipit të Kosovës do të jenë edhe 16 trajnerë dhe 3 gjyqtarë.

Në një ceremoni të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, mbrëmë u bë prezantimi i sportistëve, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani.

Kryeministri Kurti deklaroi se krahas xhudos, pret që sportistët tanë t’i sjellin medalje vendit edhe nga sportet tjera.

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, u shpreh optimiste se kësaj radhe do të fitohen edhe më shumë medalje. Ajo kishte fituar të artën katër vite më parë në LM Tarragona 2018. Ndërsa trajneri Driton Kuka, theksoi se krahasuar me katër vite më parë, kësaj radhe ka më shumë sportistë pretendentë për të fituar medalje.

Në ceremoni, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ndau pinat për kryeministri Kurti dhe ministrin Çeku, të cilët bashkërisht ndanë fanellën e Kosovës për xhudisten Krasniqi dhe mundësin Shala.

Kosova do të përfaqësohet për herë të dytë në Lojërat Mesdhetare pas debutimit katër vite më parë në Spanjë.

Ju urojmë shumë suksese sportistëve tanë.

Prapa