Kosova pjesëmarrëse në Konventën më të madhe botërore të sportit“SportAccord”

25.05.2012

Sporti kosovar është duke u prezantuar përsëri në Konventën më të madhe sportive botërore “SportAccord”, e cila sivjet po mbahet në Quebec të Kanadasë, e ku marrin pjesë mbi 1500 përfaqësues të lartë të sportit nga të gjitha vendet e botës. Në këtë konventë, ku Kosova ka edhe pavijonin e vet zyrtar të prezantimit të sportit, po merr pjesë Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi, i shoqëruar nga kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Besim Hasani.

Në pavijonin e Kosovës po prezantohen fakte për sportin e në veçanti për shpresën olimpike, xhudisten Majlinda Kelmendi, të cilës të enjten fatkeqësisht nuk iu lejua që në Olimpiadë “Londra 2012” ta përfaqësojë Kosovën më flamur, apo edhe paraqitja si sportiste e pavarur nga Kosova nën flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Ministri Krasniqi dhe kryetari Hasani kanë zhvilluar takime më përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve sportive botërore, përfshirë këtu edhe nënkryetarë dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, kryetar të federatave ndërkombëtare, përfaqësues institucional të vendeve të ndryshme, kompani investuese në sport, etj.

Ministri Krasniqi në takimet që ka pasur ka paraqitur një histori të sportit në Kosovë dhe faktin që për njëzetë vjet Kosova është në një izolim nga komuniteti ndërkombëtar sportiv. Ai ka thënë se vendi më i ri në Evropë ka mjaftë talentë, që janë dëshmuar në skuadra të mëdha botërore, në sporte të ndryshme. Kërkesë në çdo takim ka qenë njohja e federatave të Kosovës më te drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare. Ministri Krasniqi në çdo takim ka përsëritur kërkesën që të hiqet izolimi në sport, duke thënë se më këtë po i u mohohet e drejta shumë sportistëve të rinj që të jenë të barabartë me të gjithë sportistët në botë. Ai theksoi se Kosova ka një vullnet të madh që të japë kontributin e vet në zhvillim dhe masivizim të sportit, duke ndjellë frymën e lojës fer.

Prapa