Diskutimet e hapura mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik po vazhdojnë

15.01.2022

Takimi i radhës u mbajt mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë me komunitetin në fushën e librit.

Ministri Çeku përmendi se këto takime bashkëbiseduese po zhvillohen në kuadër të reformës që është nisur në fushën e kulturës, fillimisht përmes këtyre takimeve të veçanta sektoriale. Ai paralajmëroi se diskutimet do të zhvillohen edhe në qytetet e tjera dhe nëpër komunat e Kosovës.

Ministri gjithashtu përmendi se mbështetja financiare për librin, ndonëse nuk është edhe aq substanciale, ka pasur rritje, ku për vitin 2021 ka qenë afër 900 mijë euro. Ai tha se ka shumë vërejtje për thirrjen që ka ministria për mbështetjen e librit, prandaj është në interes që të ndryshohet krejtësisht qasja, për të gjetur modelin më të mirë dhe përcaktimin e kritereve për mënyrën se si dhe në çfarë mënyre të mbështet botimi i librave, duke e ndryshuar komplet politikën e financimit të librit.

Në këtë bashkëbisedim, përmes propozimeve të tyre, kontribuan me diskutime Abdullah Zeneli, Shtëpia Botuese “Buzuku”, Jeton Kelmendi, ShB “Iva Bogdani”, Fatmir Halimi, ShB “ProkultPress”, Faton Berisha, anëtar i Këshillit të Librit, Drita Meta, Biblioteka për persona të verbër “Syri Ynë”, Fatmire Duraku, ShB “Fad”, Jehona Shyti, Departamenti i Kulturës, MKRS; Binak Kelmendi, Pen Qendra e Kosovës, Zade Kuqi, ShB “Pjetër Bogdani”, Bedri Bici, ShB “Botime Koliqi”, Artin Ahmeti, ShB “Artini”, Xhemë Karadaku, ShB “Ura”, Berat Dakaj, ShB “Armagedoni”, Agon Ahmeti, OJQ “Etea”, Edon Zeneli, Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe Fazli Gajraku, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ndër propozimet që u bënë për ndryshimet e mundshme në këtë fushë në lidhje me politikat e veprimtarisë botuese në vendin tonë është tek qasja e blerjes dhe përkrahjes së librit. Këshilli i Librit si një mekanizëm ekzistues ligjor, në përbërjen e tij të anëtarëve, të ketë një përfaqësim më të madh nga shtëpitë botuese, stimulim më të madh të përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja dhe anasjelltas, vlerësimi i cilësisë së këtyre përkthimeve, promovimit të librit shqip nëpërmjet diplomacisë kulturore, kriteret dhe vlerësimi i mbështetjes financiare për libra dhe botime cilësore e përmbajtjesore, çmimet dhe shpërblimet për autorët dhe librat më të mirë të vlerësohen nga juri profesionale, mbrojtja e të drejtës së autorit, shkëmbimet mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e librit, çështja e tatimit në produktet që kanë të bëjnë me librin, rritja e fondit të librit, themelimi i një instituti kombëtar për librin në Kosovë, planprogramet shkollore për librin të rishikohen.

Konkretisht u propozua që secili fitues i çmimit të ministrisë të përkthehet së paku në një gjuhë të huaj dhe kjo të rregullohet me ligj. Të rritet shpërndarja e librit dhe të bëhet furnizim më i madh i bibliotekave me libra, sidomos bibliotekat shkollore. Lista e furnizimit të librave në biblioteka të përditësohet me tituj të autorëve të rinj, sepse ka biblioteka që ende i kanë listat e vjetra të titujve që posedojnë.

Një temë tjetër, ishte ngritja e vlerës së botimeve përmes kontrollit të cilësisë që vet shtëpitë botuese në politikat e tyre redaktuese duhet ta aplikojnë një gjë të tillë. Po ashtu si shqetësim për të cilin duhet ndërhyrë, ishte ngritja e kulturës së leximit në shoqërinë tonë sidomos tek moshat e reja, dhe për këtë u propozua që MKRS të rrisë bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit që të ndikohet në një ndryshim të këtillë.

U sugjerua një pako e rimëkëmbjes për botuesit, sepse është konstatuar si e nevojshme një gjë e tillë, për të cilën ministri tha se Qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë, sepse është një propozim i mirë që mund të realizohet.

Ministri ndër të tjera tregoi që diskutimet në këë fushë do të vazhdojnë. Duhet të rimendohet tërësisht ndryshimi i qasjes dhe i riorganizimit me një model të ri rreth politikave të librit dhe të kulturës në përgjithësi.

I falënderojmë të gjithë ata që po bëhen pjesë e diskutimeve dhe po ndajnë përvojën dhe kohën e tyre për të mirën e përbashkët

Prapa