MKRS mban konferencën përmbyllëse të fundvitit

28.12.2021

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministri Hajrulla Çeku ka mbajtur konferencën përmbyllëse të këtij viti ku janë prezantuar në pika të shkurtëra të arriturat dhe planet për vitet e ardhshme.

Ai ka filluar raportimin me trashëgiminë kulturore duke treguar disa nga punët që janë bërë në këtë fushë siç janë, evidentimi i 200 monunumeteve në rrezik, 13 ndërhyrje emergjente të përfunduara, 18 në proces ndërsa në vitin 2022 vazhdohet me mbi 50 ndërhyrje, kurse tregoi që në vitin 2023 synohet të mos ketë asnjë monument në rrezik të shkatërrimit.

Vazhdoi me restaurimet që po vazhdojnë në gjithë vendin, ndërsa bëri të ditur që është aktivizuar procesi i mbrojtjes së përhershme dhe sot janë dorëzuar 54 dosje të aseteve të TK.

“Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej 5.4 milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nga të cilat 1 milion euro për ndërhyrje emergjente”, është shprehur ministri, i cili tha se edhe në fushën e përmirësimit të kornizës rregulluese e menaxhuese ministria ka ndërmarrë hapa konkret.

Ministri ka treguar edhe për mbështetjen e rritur për organizatat dhe individët në këtë fushë, si dhe për bashkëpunimin me institucionet dhe organizatat vendore si dhe ato ndërkombëtare.

Dy mekanizma shtetërore për herë të parë janë themeluar në kuadër të trashëgimisë, Komiteti Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe Komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës 1998-1999.

“Për herë të parë është marrë nisma për kërkimin e kthimit të artefakteve arkeologjike dhe etnologjike nga muzetë e Beogradit”, ka treguar ministri Çeku.

Raportimi vazhdoi me kulturën.

Ligjet për kulturë dhe kinematografi do të finalizohen në vitin 2022.

Do të hartohet Koncept-dokumentit për kulturën dhe janë bërë analizat e nevojshme ndërsa po zhvillohen diskutime me komunitetet artistike.

Po ashtu, ministri tha se MKRS-ja është duke punuar për menaxhim financiar efikas dhe autonom të institucioneve publike të kulturës dhe për ndërhyrjet në përmirësimin e infrastrukturës në institucionet e kulturës dhe në krijimin e hapësirave të reja.

“Kemi rritur mbështetjen financiare për skenën e pavarur dhe kjo sivjet është rreth 3.8 milionë euro, një rritje prej rreth 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, u shpreh ministri Çeku.

Me prioritet po trajtohen ligji unik për kulturën, dhe ligji i ri për kinematografinë.

Ministri veçoi themelimin e institucionit të Operës së Kosovës, marrëveshjet e reja me BE-në për programin Creative Europe, Kalendarin e Përbashkët Kulturor dhe marrëveshjet tjera me institucionet e Republikës së Shqipërisë.

Sporti i Kosovës në vitin 2022 me strategji dhe programe të reja

Në sport, ministri Çeku ka folur për investimet kapitale që ka bërë MKRS-ja, ndër to edhe përfundimin e Qendrës Kombëtare të Xhudos në Pejë, Palestrën Sportive në Skenderaj, Stadiumin e Zhurit, Stadiumi 2 Korriku dhe Ramiz Sadiku si dhe 37 projekte aktive në këtë fushë.

MKRS-ja ka mbështetje në rritje për sportin, ku rreth 445 mijë euro shtesë janë siguruar javën e kaluar për federatat e sportit. Ministri tregoi se afër 2.3 milion euro ka qenë përkrahja për 27 federata, 214 klube sportive dhe 178 sportistë vetëm nga pakoja e ringjalljes. Ndërkaq, në total sporti në vitin 2021 është mbështetur me 6.35 milionë euro, 57% më shumë se vitin 2020.

“Për herë të parë kemi ndarë fond të veçantë për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive. Ky fond zhvillohet në kuadër të politikës së Mjekësisë Sportive dhe përveç sportistëve janë përfshirë edhe balerinët dhe valltarët”, ka thënë ministri.

Sporti është prioritet nacional i qeverisë, ka thënë ministri, i cili për vitin e ardhshëm tha se do të hartohet strategjia dhe plani i veprimit për zhvillimin e sportit, programi për funksionalizimin e ligave sportive në shkollat e vendit, programin për brendimin ndërkombëtar të Kosovës “Shtet i Xhudos”, dhe formulën e re të financimit të sportit.

Në vitin 2022, do të hartohet Ligji i ri për rininë dhe strategjia kombëtare.

Rinia është përkrahur me 6 thirrje që ka administruar MKRS-ja në vlerën totale prej 1.8 milionë euro përkrahje për rininë, është dinamizuar procesi i ndërtimit të qendrave rinore, është themeluar Komisioni Shtetëror për Rini.

Ndërsa në vitin 2022 do të hartohet Strategjia Kombëtare për rini dhe koncept dokumenti për ligjin e ri për rininë.

Prapa