Në 77-vjetorin e Ditës së Bibliotekës Kombëtare nënshkruhet marrëveshja për krijimin e rrjetit bibliotekar të Kosovës

25.11.2021

Në kuadër të Javës së Flamurit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës mbajti ceremoninë për kremtimin e 77-vjetorit të Ditës e Bibliotekës, si institucion themelor i ruajtjes së trashëgimisë së shkruar dhe të shtypur në Republikën e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetin e Prishtinës.

Në veprimtarinë e sotme u nënshkrua akti i marrëveshjes tripalëshe mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili mundëson realizimin e projektit “Krijimi i rrjetit bibliotekar në Kosovë”, dhënia e Çmimit “Pjetër Bogdani” për kontributin për zhvillimin e bibliotekës në Kosovë, që iu nda prof. dr. Robert Montoyas nga SHBA, hapja e Ditës Kombëtare e vetëdijesimit për biblioteka, veprimtari që organizohet nga viti 2017 në bashkëpunim të BKK-së dhe UP-së, dhe ekspozita “Kosova, my home” – libra të punuar nga bibliotekarët gjatë projektit të themelimit të një programi kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor.

Projekti tripalësh që u nënshkrua sot ka për qëllim përfshirjen e bibliotekave të Kosovës në një Platformë të Shërbimeve Bibliotekare që do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave të vendit tonë, ndërtimin e katalogut të përbashkët, hyrjen e tyre në sistemet e zhvilluara bibliotekare, aftësim në përdorimin e teknologjisë, formateve të reja dhe njohje me praktika rajonale dhe botërore në fushën e bibliotekarisë, ngritjen e cilësisë së shërbimeve të bibliotekave në Kosovë, përmes automatizimit të shërbimeve, duke punuar në rrjet, si dhe krijimin e një rrjeti të huazimit ndërbibliotekar kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në këtë ceremoni morën pjesë Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Daulina Osmani, Zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elton Bahtiri, prorektor i Universitetit të Prishtinës, Fazli Gajraku, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, laureati i çmimit “Pjetër Bogdani” prof. dr. Robert Montoya, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe personalitete tjera të Bibliotekarisë nga SHBA-ja dhe nga Kosova.

Drejtori Gajraku foli për veprimtarinë dhe objektivat që ka Biblioteka Kombëtare në funksion të mandatit që ka ky institucion kombëtar i kulturës dhe për mbështetjen që i japin partnerët në përmbushjen e këtyre planeve. Ai veçoi mbështetjen që MKRS-ja dhe Ambasada e SHBA-së po jep për BKK-në, që pa përkrahjen e këtyre dy institucioneve, Biblioteka nuk do të mund të realizonte projektet dhe të arrinte rezultatet e tyre.

“Për herë të parë po mbështetet një projekt i cili do të mundësojë krijimin e një rrjeti bibliotekar në Kosovë dhe kjo me një mbështetje të fuqishme të ministrave Çeku, Nagavci e Krasniqi”, tha mes tjerash drejtori Gajraku.

Ndërkaq, zëvendësministrja Daulina Osmani tha se në emër të MKRS-së ndjehet e lumtur që po nënshkruhet kjo marrëveshje që do të mundësojë krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë.

“Synimi i kësaj marrëveshjeje është që të mundësojë futjen e bibliotekave të Kosovës në një platformë të përbashkët bibliotekare dhe që të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave më të rëndësishme të vendit”, tha ajo, duke shtuar se Biblioteka po vazhdon traditën me ndarjen e çmimit “Pjetër Bogdani”.

“Si MKRS shprehim përkushtimin tonë të plotë për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin institucional si në nivel qendor ashtu edhe në atë lokal që të sigurohet zbatimi i këtij projekti shumë të rëndësishëm për zhvillimin e fushës së bibliotekarisë”, u shpreh zëvendësministrja.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje merr përsipër mbështetjen financiare të projektit me 77 mijë e 632 euro dhe rrjeti i bibliotekave që do të krijohet do të përbëhet nga Biblioteka Kombëtare si udhëheqës e rrjetit, 38 biblioteka publike, 7 biblioteka akademike dhe 2 biblioteka speciale

Dita e themelimit të Bibliotekës është në nëntor të viti 1944 në Prizren, me një koleksion të vogël të librave. Ndërkaq, sot Biblioteka ka një fond bibliotekar me mbi 2 milionë ekzemplarë të materialit të ndryshëm bibliotekar.

Prapa