Mbyllet Festivali i Filmit Frankofon

22.11.2021

Me konferencë për bashkëprodhim të filmave mes Kosovës dhe Francës dhe shfaqjen e filmit “Luaneshat e Kodrës” mbyllet Festivali i Filmit Frankofon.

Të dielën, më 21 nëntor, Ambasada e Francës dhe Ministria e Kulturës, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, organizuan një konferencë në Kino ARMATA me temë: \"Perspektivat për krijimin e një fondi për bashkëprodhim të filmit, çfarë hapash duhet ndërmarrë?\"

Kjo temë është e rëndësishme, sepse kinematografia kosovare po tregon një dinamizëm dhe një krijimtari të mirëpritur gjerësisht në skenën ndërkombëtare.

Në panel ishin Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, Pascal Brunet, Drejtor i Relais Culture Europe, Julien Ezanno nga Qendra Kinematografike e Francës dhe Lum Çitaku nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Paneli i folësve ishte i vëmendshëm dhe në lartësinë e sfidës që po fillon dhe që mund të realizohet bazuar në vullnetin e përbashkët të riafirmuar sërish dje, para të pranishmëve të shumtë në sallë. Ata paraqitën argumente dhe këndvështrime, gjatë një debati prej një ore e gjysmë, i moderuar nga këshilltari për bashkëpunim dhe veprim kulturor i Ambasadës së Francës, me qëllim arritjen sa më të shpejtë të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëprodhimit kinematografik në mes të Francës dhe Kosovës.

Konferenca u mbajt në mbrëmjen përmbyllëse të Festivalit të Filmit Frankofon i cili u mbajt çdo ditë dhe në të njëjtën kohë në Prishtinë, Pejë dhe Prizren ndërsa përfundoi me shfaqjen e filmit Luaneshat e Kodrës. Ky film artistik që zgjoi vëmendjen në Kanë dhe në shumë festivale ndërkombëtare, është realizuar nga regjisorja e re dhe e talentuar Luana Bajrami, e cila gjithashtu ishte e pranishme në këtë ngjarje.

Prapa