Diskutimi i dytë me komunitetin artistik, me komunitetin e arteve pamore

19.11.2021

Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë, u mbajt takimi i dytë, ai me komunitetin e arteve pamore, në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturë mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik.

Me pjesëmarrësit u diskutua për identifikimin e sfidave, nevojave dhe hapat e përbashkët të veprimit për adresimin e shumë çështjeve me rëndësi. Këto sugjerime do të shërbejnë për fazën e hartimit të politikave të reja për kulturë, prandaj konsultimi me komunitetin është tejet i rëndësishëm.

Bashkëbisedimi filloj me një prezantim nga ministri për punën që është bërë në fushën e arteve pamore për këto 7 muaj e gjysmë dhe për idetë për të ardhmen.

Ai shpjegoj disa nga hapat konkret që janë marr, si publikimi për Bienalen e Venecias, për herë të parë ministria ka shpallur një thirrje për blerjen e veprave të artit, dhe përkrahje për artin pamor, përfshirë edhe blerjen e veprave artistike, gjithashtu për shumën e tërësishme që është ndarë për këta muaj vetëm për artet pamore që arrin në vlerën mbi 410 mijë euro, në krahasim me vitin e kaluar që ka qenë 162 mijë euro.

Është iniciuar hartimi i Statutit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, gjithashtu procesi i reformimit ligjor duke filluar me një koncept-dokument për ligjin për kulturën, hartimin e strategjisë kulturore, renovimi i fondusit të GKK-së dhe synimi për hapësira të reja për këtë institucion në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për aplikim për fondet IPA për Muzeun e Artit Bashkëkohor.

Në diskutim u fol për mbështetjen e vazhdueshme për galeritë, rritjen e vazhdueshme të përkrahjes për organizatat, festivalet etj. Gjithashtu për financimin e kulturës së pavarur që pritet të jetë pjesë e ligjit unik të kulturës.

Gjithashtu u diskutua për Muzeun e Artit Bashkëkohor, për lokacionin e mundshëm, ndërtimin e një objekti të ri, apo përdorimin e një objekti ekzistues.

Fehmi Hoxha, dizajner grafik dhe piktor ngriti çështjen e caktimit të një hapësire për artistët pamorë, ku do të vendoseshin atelietë e artistëve të ndryshëm që ata të kenë mundësinë për krijimtari, të ekspozojnë punën e tyre e të jenë më afër njëri-tjetrit.

Veton Gusia, arkitekt dhe piktor, foli për edukimin e masës për nevojën për art, që kultura të ngritet në secilin nivel të shoqërisë.

U sqarua që një mënyrë e përkrahjes më të madhe për kulturën është që në ligjin e sponsorizimit të barazohet përqindja si në sport ashtu edhe në kulturë. Ndërsa, në lidhje me edukimin për kulturë, ministri Çeku ka sqaruar se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, është duke u punuar në një program “Arti dhe nxënësi”, ku nxënësit së paku një herë ose dy herë në muaj do të konsumojnë art ose do të marrin pjesë në aktivitete jashtë shkollës.

Eshref Qahili e Shyqri Nimani kanë ngritur çështjen e Kolonisë së Artistëve në Bardhosh të Prishtinës. Ndërsa zyrtarët e MKRS-së, që ishin prezentë, bënë të ditur që do të bëhet një auditim për këtë çështje.

Refki Gollopeni nga Thernada, organizator i manifestimit “Festari”, i cili ka pasur sivjet 20 vjetorin e realizimit, vuri theksin tek prezantimi i kulturës dhe artit tonë në arenën ndërkombëtare që të caktohen vende në qendrat e mëdha botërore si hapësira ku do të ekspozoheshin veprat e artistëve të Kosovës. Ndërsa ministri sqaroi planin e diplomacisë kulturore që është duke u hartuar në bashkëpunim me MPJ-në, dhe si hap fillestar është emërimi i atasheve për kulturë në ambasadat e Kosovës në vendet e rëndësishme botërore si dhe qendrat kulturore të cilat do të menaxhohen së bashku me Republikën e Shqipërisë për të reduktuar koston që të jetë më e përballueshme por edhe për një prezantim të përbashkët të produktit tonë artistik, fondin e mobilitetit, publikimet dhe dhuratat shtetërore.

Mentor Avdyli, piktor i pavarur, ndër të tjera, ngriti si çështje të veçantë edukimin e studentëve për restaurimin e veprave të artit. Në lidhje me këtë çështje ministri tha se nëpërmjet fondit kulturor, do të ndahen edhe bursa të studimit jashtë vendit për restauratorë dhe profesionistë tjerë të kësaj fushe.

Ndër diskutuesit tjerë, ishin edhe prof. dr. Shyqri Nimani, Zake Prelvukaj, Haki Xhakli, Adriana Kutllovci, Eshref Qahili, Qëndrim Llugiqi, Rina Gosalci, Naim Spahiu, Vatra Abrashi, Bardhë Nuza, Dren Maliqi, Naska Gorani, Nita Qahili, Rina Begolli, Klodeta Krasniqi, Bislim Bislimi e Jehona Shyti.

Ky takim dhe të tjerët do të ndihmojnë me idetë dhe përgjigjet që do merren për hartimin e politikave të reja që ato të kenë përmbajtje sa më cilësore dhe në shërbim dhe plotësim të nevojave që kanë komunitetet kulturore në Kosovë.

I falënderojmë të gjithë ata që po bëhen pjesë e diskutimeve dhe po ndajnë përvojën dhe kohën e tyre për të mirën e përbashkët.

Prapa