Vizitë në Parkun Arkeologjik Ulpiana
Sot Ministri i MKRS, z. Hajrulla Çeku, anëtarët e bordit të Këshilit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, deputetët, z. Ardian Gola dhe z. Enis Kervan nga Komisioni Parlametar për Arsim dhe këshilltarja e ministrit, znj. Nora Arapi Krasniqi vizituan Parkun Arkeologjik Ulpiana.
Ata përcollën nga afër punën e trajnimit “Konservimi i mozaikut romak në Parkun Arkeologjik Ulpiana – Kosovë”.
Qëllimi i këtij projekti është trajnimi i vullnetarëve nga vende të ndryshme të botës në fushën e trashëgimisë kulturore. Përveç punës praktike po realizohen edhe ligjërata të hapura e prezantime rreth temave, eksperiencave të ndryshme në arkeologji dhe konservim.
Trajnimi fokusohet në konservimin parandalues dhe restaurimin e mozaikëve nga periudha romake pasi që drejtohet nga restaurues - konservatorë të specializuar në mozaikë. Ky projekt paraqet një mundësi të mirë që studentët e përzgjedhur të marrin njohuri teorike dhe praktikë profesionale rreth metodave të konservimit, restaurimit etj.
Instruktor është Tome Filov, konservues i mozaikut në Institutin Nacional të STOBIT, në Maqedoninë Veriore.
Pjesëmarrës janë studentë dhe profesionistë nga këto shtete: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Kili, Kanada, Greqia, dhe Spanja.
Ky trajnim është oganizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, së bashku me Këshillin për Trashëgimi Kulturore të Kosovës dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës, në partneritet me European Heritage Volunteers.