Telegram ngushëllimi i ministrit Çeku për ndarjen nga jeta të artistit Ymer Shaqiri
19.08.2021
E nderuar familje Shaqiri,
Me pikëllim sot mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit tonë, Ymer Shaqiri dhe ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Kemi humbur një artist me vlera, një person shumë të veçantë që pas vetes ka lënë veprimtari të gjerë artistike, përmes së cilës do ta kujtojmë gjithmonë. Veprat e grafistit dhe piktorit Shaqiri do të mbesin pjesë e kulturës dhe e trashëgimisë së artit pamor të Kosovës.
Shaqiri, i cili ishte një kuadër që doli nga institucionet akademike artistike të Kosovës, ka depërtuar me veprat e tij edhe në arenën ndërkombëtare. Talentin e ka paraqitur me pjesëmarrje në shumë ekspozita, që prej viteve të 80-ta, si në Slloveni, Japoni, Itali, Holandë, Gjermani, në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, duke e prezantuar artin e Kosovës përtej kufijve të saj.
Për shkak vlerave të mëdha që përçoi me artin e tij u vlerësua shumë lart nga kritika artistike dhe arriti të shpërblehet me çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare ndërsa veprat e tij gjenden në shumë koleksione të galerive dhe muzeve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij. Ndërsa krijimtaria që ka lënë pas do tu shërbejë gjeneratave të tëra.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Ymer Shaqirit.
Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës
















