Ceremonia e dorëzimit të flamurit shtetëror tek Ekipi Olimpik i Kosovës

13.07.2021

Mbrëmë në amfiteatrin e Gërmisë u mbajt një ngjarje e veçantë.

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të flamurit të Kosovës.

Vendi ynë do të përfaqësohet me 11 sportistë në LO Tokio 2020 që do të mbahen prej 23 korrik deri më 8 gusht 2021. Në emër të ekipit olimpik, flamurin nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani e pranoi kampionia olimpike, znj. Majlinda Kelmendi.

Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete nga jeta politike dhe sportive e vendit. MKRS në këtë ngjarje ishte e përfaqësuar nga zëvendësministrja znj. Daulina Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Osmani tha se pjesëmarrja për herë të dytë në Lojërat Olimpike do të thotë ripërtëritje e krenarisë, duke marrë shembull lartësimin e flamurit nga Majlinda Kelmendi në Rio 2016.

Me një video-prononcim pjesëmarrësve në këtë ceremoni iu drejtua edhe kryeministri, z. Albin Kurti, i cili u shpreh se përgjegjësia që mbajnë me vete sportistët tanë që marrin pjesë në Tokio është shumë e madhe, ndërsa shtoi që angazhimi dhe përkushtimi i sportistëve tanë duhet të na bëjë krenar të gjithëve.

Kurse zëvendësministrja e MKRS, znj. Osmani falënderoi sportistët dhe trajnerët për punën e palodhshme. Ajo tha se komuniteti sportiv duhet të bashkohen dhe të mobilizohen për konsolidimin e rezultateve në arenën ndërkombëtare, xhudo dhe sportet tjera luftarake, pra janë shembulli të cilin duhet ta ndjekin edhe në sportet tjera.

Kjo ngjarje u shoqërua me performancën e instrumentistëve të Orkestrës së Fakultetit të Arteve UP dhe Prishtina Brass ( formacioni i tunxhit të Filarmonisë së Kosovës) nën dirigjimin e z. Edon Ramadani.

Ekipi olimpik përbëhet nga sportistët: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova Loriana Kuka (xhudo), Egzon Shala (mundje), Donjeta Sadiku (boks), Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive), Musa Hajdari (atletikë), Olt Kondirolli (not) dhe Eda Zeqiri (not).

Prapa