MKRS vazhdon partneritetin e saj me BE-në dhe UNDP-në për kohezionin social përmes iniciativave të trashëgimisë kulturore

18.06.2021

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), së bashku me Instrumentin e BE-së (BE) që i kontribuon Stabilitetit dhe Paqes (IcSP), zyrën e BE-së në Kosovë dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, lansuan projektin: \"Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social\", financuar nga BE-ja.

Ministri z. Hajrulla Çeku, Z. Tomáš Szunyog, Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Asier Santillan Luzuriaga, Atashe - Zyrtar i Reagimit ndaj Krizave, EU IcSP, z. Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, ishin të pranishëm sot në Ministri dhe shënuan vazhdimin e bashkëpunimit për iniciativat e trashëgimisë kulturore në Kosovë që synojnë ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve, promovimin e dialogut, mirëkuptimit dhe nxitjen e ndjenjës së pronësisë së përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës mes të gjitha komuniteteve.

Ministri Çeku theksoi rëndësinë e një programi të tillë dhe ndër të tjera tha \"Trashëgimia jonë kulturore është universale, ajo i bashkon njerëzit, kontribuon në paqen e qëndrueshme dhe ringjalljen ekonomike. Qeveria jonë do të veprojë e vendosur në mbrojtjen e trashëgimisë si dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për të përdorur trashëgiminë si faktor përçarës midis komuniteteve. Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë, BE-së dhe UNDP-së për një program të hartuar me shumë mençuri që lidh trashëgiminë dhe kohezionin. Ne jemi veçanërisht të lumtur që programi respekton diversitetin kulturor të vendit tonë përmes restaurimit të xhamive, kishave ortodokse, kishave katolike, teqeve, kullave, shtëpive tradicionale, varrezave, muzeve dhe hapësirave publike\".

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog me këtë rast foli për rëndësinë që ka ky projekt, qëllimin social dhe bashkimin e forcave që trashëgimia kulturore të shërbej për ofrim mes komuniteteve. Gjithashtu shprehu edhe një herë përkrahjen e vazhdueshme që BE do të bëjë në këtë drejtim.

“Trashëgimia kulturore është një nga faktorët kryesorë në afrimin e njerëzve, prandaj implementimi i një projekti të tillë kërkon shumë punë në terren dhe punë me njerëzit e Kosovë tha z. Niels Knudsen, Zëvendës Përfaqësuesi i UNDP-së i cili gjithashtu theksoi \"Ne shpresojmë që të jemi pjesë e këtij projekti emocionues por edhe të ndërlikuar, i cili përfundimisht do t’i sjellë dobi popullit të Kosovës\".

I ftuar special në këtë ngjarje ishte z. Asier Santillan Luzuriaga, Atashe - Zyrtar për Reagim ndaj Krizave, IcSP i BE-së, i cili shpjegoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të trashëgimisë kulturore dhe diversitetit kulturor.

Projekti\" Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social\" është financuar nga Instrumenti i Komisionit Evropian, Kontribues për Stabilitetin dhe Paqen (IcSP) dhe do të zbatohet në komuna të zgjedhura në të gjithë Kosovën. Kontributi i BE-së është 2 milion Euro.

Prapa