Rexho Mulliqit i ndahet Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore në Muzikë “Niketë Dardani” – post mortem

04.04.2012

Juria profesionale për ndarjen e Çmimeve Vjetore për Muzikë “Niketë Dardani” 2011 Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” ia ka ndarë kompozitorit Rexho Mulliqi - post mortem. Në vlerësimin e vet, juria, në përbërje nga kompozitori dhe pianisti, Prof. dr. Valton Beqiri, Baki Jashari, kompozitor dhe dirigjent dhe Sami Piraj, muzicient, thekson se Rexho Mulliqi është një prej kompozitorëve të parë dhe më të spikatur të Kosovës.

Propozimi për kompozitorin Mulliqi ka ardhur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Në ndërkohë juria ka ndarë edhe çmimet në kategoritë tjera që parasheh Rregullorja për Çmimet Vjetore për Muzikë.

Ndërkaq çmimi në kategorinë e veprave simfonike - koncertale është ndarë në dysh për dy kompozitorë, kompozitorin Drinor Zymberi për veprën “Koncert për orkestër” si  dhe Kreshnik Aliçkajn për veprën “Simfonia nr. 2”.

Çmimi për kategorinë e veprave kamertale i është ndarë kompozitores Dafina Zeqiri për veprën “Përreth”. Kompozitorit Rafet Rudi i është ndarë çmimi për veprën më të mirë në kategorinë e veprave korale, për veprën “Fantasia Concertante”.

Sa i përket kategorisë së veprave vokale-instrumentale e skenike juria nuk ka ndarë çmim, pasi edhe nuk ka pasur vepra konkurruese në këtë kategori.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet të organizojë edhe ceremoninë zyrtare të ndarjes së këtyre çmimeve. 

Prapa