Aktiviteti i parë mes Izraelit dhe Kosovës zhvillohet përmes sportit!

10.05.2021

Sot, me ftesë të shtetit të Izraelit, po mbahet një aktivitet shahu mes lojtarëve të Kosovës dhe Izraelit. Kjo ngjarje u organizua në Ditën e Jeruzalemit si shenjë miqësie mes dy shteteve. Në hapje mbajtën fjalim zëvendësministrja Daulina Osmani, ambasadorja Ines Demiri dhe ambasadori Dan Oryan.

Ju ftojmë të lexoni fjalën e zëvendësministres më poshtë:

"Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju falënderoj për ftesën tuaj. Jemi të nderuar që aktiviteti i Shahut për Solidaritet këtë vit po zhvillohet midis dy shteteve tona. Sot ne po festojmë së bashku Ditën e Jeruzalemit, një nga qytetet më të vjetra në botë me një nga sportet më të vjetra.

Si zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe si sportiste, e vlerësoj rëndësinë e shahut si sport dhe po ashtu si art. Sport mbi një mijë vjet i vjetër, është një nga aktivitetet më stimuluese për mendjen e njeriut. Kërkon aftësi të jashtëzakonshme të të menduarit, përqendrimit dhe durimit.

Gjithashtu vlerësoj domethënien simbolike të ngjarjes së sotme sepse ne e dimë që sporti është një nga mënyrat më të mira për të bashkuar dy vende. Ashtu si shahu, miqësia dhe respekti midis popujve tanë i ka rezistuar kohës.

I uroj të gjithë lojtarëve fat të mirë. Le të fitojnë më të mirët. Faleminderit."

Prapa