Të kaluarat komplekse: të ardhmet e larmishme!

18.04.2021

18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve e cila shënohet çdo vit për të promovuar dhe ngritur vetëdijen për rëndësinë, cënueshmërinë dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Tema e sivjetme e përzgjedhur nga ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete) është: Të kaluarat komplekse: të ardhmjet e larmishme!

Trashëgimia e pasur kulturore e Kosovës është interpretim i shtresimeve të ndryshme kulturore të zhvilluara nga e kaluara e deri në ditët tona. Ajo paraqet bashkëdyzimin mes zhvillimeve historike të transformuara nga brezi në brez – duke përfshirë të gjitha aspektet e mjedisit që rezultojnë si ndërveprim mes komuniteteve dhe lokaliteteve përgjatë historisë –dhe domethënies që kjo e kaluar ka për komunitetin në ditët tona.

Lokalitetet arkeologjike që flasin për qendrat urbane me një kulturë të rafinuar – monumentet fetare, manastiret, kishat, xhamitë, teqet e tyrbet që shpalosin transformimet dhe bashkëjetesën e zhvilluar gjatë shekujve, fortifikatat, qendrat e vjetra urbane e rurale, komplekset e banimit, urat, sheshet, krojet – tregojnë për një të kaluar komplekse e cila është bartur dhe ruajtur në të tashmen. Ruajtja, promovimi, dhe bartja e këtyre pasurive mbetet obligim dhe përgjegjësi për të krijuar një të ardhme të larmishme për gjeneratat e ardhshme që do ta gëzojnë atë në territorin e Kosovës.

Jemi të vetëdijshëm për gjendjen e brishtë të trashëgimisë sonë kulturore, për emergjencat dhe sfidat , por jemi më se të bindur për rëndësinë jetike që ajo ka dhe misionin tonë karshi saj.

Duke e shënuar këtë ditë, në rrethana të emergjencës globale me COVID-19, e cila na vuri para sfidave të reja, por duke na hapur edhe këndvështrime për mundësitë e reja për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në të ardhmen, duam të theksojmë përkushtimin tonë për mbrojtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, si vlerë univerzale që i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm.

Prapa