Ndërroi jetë Shaqir Hoti!

11.04.2021

Sot kultura kosovare humbi njërin prej margaritarëve të vet kulturorë, trashëgimorë e njerëzorë.
 
Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur i cili me kapacitetin e tij profesional, intelektual e njerëzor kultivoi një pjesë tejet të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpritërore duke qenë forcë e bashkimit të të gjitha fushave të tjera kulturore – veçanerisht të kulturës sonë muzikore.
 
Komuniteti muzikor i Kosoves njeh me mijëra kontribues, por pak figura të kalibrit profesional dhe njerëzor si i ndjeri Shaqir Hoti.
 
Shaqir Hoti ishte njëri nga pararendësit e krejt ciklit të zhvillimit të instrumenteve frymore në Kosovë, me epitetin – flautisti i parë i Kosovës, si performues i rregullt solist dhe në ansamblet më të rëndësishme folklorike por edhe në formacione të tjera klasike dhe bashkëkohore.
 
Ai ishte performues i cili jo vetëm që e kultivoi performancën me të gjitha instrumentet frymore folklorike të Kosovës por e bëri folklorin shqiptar vlerë artistike e cila do të përdoret në të gjitha zhanret e tjera muzikore moderne duke shoqëruar repertorin tonë folklorik dhe modern me instrumentet e tij frymore për një plejadë të tërë me shumë breza të ndryshëm performuesish dhe kompozitorësh kosovarë.
 
Shaqir Hoti ishte njëri prej kultivuesve më të mëdhenj të repertorit tradicional/folklorik me mbi 180 komponzime – me këngë e valle por edhe me bashkëpunime të ndryshme në projekte për kolona zanore.
 
Ai ishte nismëtar i zejes së krijimit të instrrumenteve muzikore dhe me duart e tij krijoi mbi 1000 sosh. Njihet në veçanti për kultivimin e okarinës – të parën prej dheu që e krijoi në vitin 2010 për të vazhduar më tej me shumë të tjera formash dhe madhësish të ndryshme.
 
Ishte shpikës dhe inovator i shumë llojeve të reja të instrumenteve frymore me bazë në instrumentet ekzistuese folklorike të Kosovës.
 
Baca Shaqë ishte njeri me sens të papërsëritshëm dhe aftësi për të takuar në mënyrë të rrjedhshme e shumë të kapshme folklorin tonë, instrumentet tona në të gjitha aspektet moderne muzikore që i ka kultura bashkëkohore muzikore.
 
Shaqir Hoti e shihte kulturën tonë muzikore si pjesë të pandashme të të qenët dhe të jetuarit në Kosovë dhe në botë. Çdo aspekt i veprimtarisë së tij performuese, krijuese dhe zejes muzikore pasqyronte aftësinë e tij për të krijuar narrativa dhe paralele të traditave tona folklorike me jetë dhe me sens të lartë të humanitetit.
 
Kosovës dhe të gjitha sferave të saj kulturore do t’i mungojë personaliteti, urtësia, profesionalizmi, inovacioni, kreativiteti dhe kultura e veçantë shprehëse e Bacës Shaqë.
 
Ministria e Kulturës dhe i tërë komuniteti muzikor i Kosoves ndajnë dhimbjen me familjen e z. Hoti në këto kohëra të vështira.

Prapa