Drejtuesit e MKRS-së dhe institucioneve të kulturës nderuan figurën e Rasim Thaçit

28.03.2021

Nderimet për figurën e artistit Rasim Thaçi-Cima nga drejtues të institucioneve vazhduan edhe sot. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, së bashku me një pjesë të stafit të ministrisë dhe me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku është e vendosur fotografia e artistit të ndjerë, kanë bërë homazhe në nderim të tij.

Ministri Çeku, i cili vendosi lule të freskëta dhe u shënua në librin e përkujtimit, vlerësoi punën dhe veprën që la artisti i ndjerë. “Bashkë me drejtues të ministrisë e të institucioneve shtetërore të kulturës i bëmë nderimet e merituara figurës së dashur për popullin e Kosovës. Ai një kohë ka qenë edhe sportist, por përherë ka qenë artist, që është dalluar me lëvizje skenike dhe mesazhe që në kohëra të vështira jepte edhe mesazh politik. Ky mesazh jepej në kohëra kur nuk ishte lehtë të bëhej lloj aktivizimi e rezistence përmes artit dhe përmes humorit”, tha ministri Çeku.

“Ne si ministri përveç nderimeve, do ta kryejmë edhe pjesën tjetër që na takon dhe lidhet me dokumentimin e punës së tij, që ajo t’i shërbej edhe gjeneratave të ardhshme për të kuptuar të kaluarën e popullit tonë por edhe artin e Rasim Thaçit”, tha Çeku para medieve.

Ndërkaq, në cilësinë e përfaqësuesve të drejtuesve të institucioneve të kulturës, foli edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar, Naser Shatrolli, i cili vlerësoi angazhimin e Rasim Thaçit, në kohërat kur të gjitha dritaret dhe ekranet për ne shqiptarët kanë qenë të mbyllura, ai i ka dhënë kuptim jetik jetës tonë me veprat dhe humorin e tij, duke ngelur edhe ikonë e humorit shqiptar.

Prapa