Mesazhi i urimit i ministres Dumoshi, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së Ismail Kadare

28.01.2021

Sot, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, mbush 85 vjet. Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, në emër të institucionit dhe në emër të kulturës në Kosovë, dua t’ia uroj ditëlindjen shkrimtarit tonë, kolosit të letrave shqipe dhe jo vetëm, i cili me krijimtarinë e tij ka arritur të tejkalojë kufijtë kombëtarë për t’u bërë një shkrimtar i përmasave botërore.

Kadare, mbetet gjeniu artit letrar që ka pasqyruar zhanre të ndryshme të prozës, pa lënë anash as poezinë, më të cilën edhe nisi rrugën e tij si shkrimtar. Laureat i shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare, Ismail Kadare, mbetet krenaria dhe simboli i artit letrar shqiptar në Botë.

Kadare, përmes krijimtarisë ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh të prezantimit të kulturës dhe identitetit shqiptar në Botë. Është autori më i përkthyer shqiptar në Botë dhe kjo tregon për gjenialitetin e tij në krijimtarinë letrare.

Urime 85 vjetorin, shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Korpusi i madh i krijimtarisë së tij vazhdoftë edhe më tej, krahas shëndetit që urojmë ta ketë edhe gjatë.

Me respekt,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës

Prapa