Restaurohet mulliri i shekullit 19 në Graboc të Obiliqit

28.07.2020

Mulliri i Behramajve në Graboc të Obiliqit, i vitit 1864, objekt i trashegimise kulturore, restaurohet si kujtesë e historisë. Në përurimin e restaurimit të tij, mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrat Halil Matoshi dhe Qazim Rrahmani si dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se mulliri është pjesë e veçantë dhe e rëndësishme e kësaj zone, i cili ka luajtur një rol jetik në jetën e njerëzve dhe ka shërbyer për furnizimin e banorëve me përbërësin kryesor të ushqimit, miellin.

“Ky mulli ka një histori dhe i cili i ka mbijetuar fazave të ndryshme të historisë, përplasjeve të ndryshme, sidomos me këtë pjesë të popullatës, e që në luftën e fundit, banorët janë furnizuar me miell prej këtij vendi”, u shpreh ndër të tjera ministrja, duke thënë se ndjehet e lumtur që është restauruar ky objekt i trashëgimisë kulturore.

Gjithashtu, në kuadër të vizitës në Komunën e Obiliqit, ministrja ka zhvilluar një takim në komunë, ku me kryetarin Xhafer Gashi, kanë diskutuar për projektet që deri tani ministria ka investuar në këtë Komunë, sikurse është shtëpia e kulturës, të cilin ministrja pati rastin të vizitojë dhe e cilësoi si një investim me vend, të cilin e ka mbështetur MKRS-ja.

Ministrja Dumoshi e informoi kryetarin Gashi se MKRS-ja do ta përkrah për vitin 2021 me dy projekte të rëndësishme të cilat komuna i parasheh më me prioritet. Ajo porositi kryetarin që të informojë dhe nxisë organizatat rinore që të aplikojnë në thirrjet që ministria shpall për financim të projekteve për rini.

Nga ana e tij, kryetar i Obiliqit, Xhafer Gashi, e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen që ka dhënë dhe që planifikon për vitin e ardhshëm në projektet që janë me interes për Komunën e Obiliqit.

Kryetari Gashi tha se MKRS-ja në vazhdimësi e ka pasur në vëmendje komunën e Obiliqit.

Dumoshi e Gashi vizituan edhe shkollën “Ismail Dumoshi” në Obiliq, e cila mban emrin e heroit të Kosovës, i cili është i ati i ministres Vlora Dumoshi.

Prapa