Ministrja Dumoshi takoi gazetarët sportivë në shënim të Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit

02.07.2020

2 korriku është ditë shumë e veçantë për gazetarët e sportit në tërë botën, shënohet Dita Botërore e Gazetarëve Sportiv, si simbolikë e themelimit të Shoqatës Botërore të Gazetarëve të Sportit më 1924.

Në nderim dhe respektim të punës të gazetarëve të sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim gazetarë të sportit për nder të ditës së tyre, Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit.

Ministrja Dumoshi u shpreh se falë angazhimit të gazetarëve e komentatorëve sportivë, miliona sportdashës në të gjithë botën marrin informacione për klubet apo sportet e preferuara.

Në këtë ditë të shënuar, njohim kontributin e gazetarëve për promovimin e sportit, të cilët e bëjnë sportin edhe me të qasshëm për audiencën, e më të dashur për secilin prej nesh, tha ministrja Dumoshi.

Kosova numëron numër të madh të gazetarëve sportivë, të cilët me përkushtimin e tyre i kanë kontribuar sportit kosovar. Ministrja theksoi se ajo dhe Ministria që drejton vlerësojnë lart punën e të gjithë gazetarëve e komentatorëve sportivë në Kosovë veçmas kontributin e çmuar të gazetarëve: Ali Shala, Gani Ajeti, Agim Kasapolli, Azem Brovina, Gani Kosumi, Agim Binaku, Kemal Qarkagjiu, Burim Hatipi, Fehmi Sejdiu, Abaz Lula, Mustafa Lecaj, Veli Vraniqi e shumë të tjerëve.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, shoqatë kjo e anëtarësuar në Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.

Gazetarët e pranishëm shpalosën para Ministres sfidat me të cilat përballen dhe theksuan që për avancimin e sportit në Kosovë, ndihma institucionale është thelbësore.

Ministrja falënderoi të pranishmit për takimin e përzemërt, u shpreh e gatshme për bashkëpunim sa herë që është e nevojshme si dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në mënyrë që bashkërisht të kontribuojnë për avancimin e sportit në Kosovë.

Ata e njoftuan ministren Dumoshi për punën dhe planet e shoqatës. Kosova planifikon të jete nikoqire e takimit të ardhshëm të Asociacionit të Gazetarëve Sportiv të Evropës Juglindore, kurdo që të krijohen kushtet për t’u realizuar një kongres i këtillë. Pritet që të marrin pjese rreth 300 gazetarë sportiv në këtë ngjarje, theksoi gazetari Edmond Thaçi, kryetar i shoqatës, duke vlerësuar se një kongres i këtillë do të kontribuojë gazetarisë sportive në Kosove por edhe promovimit të Kosovës në përgjithësi.

Ndër temat që u diskutuan në takim ishte edhe përmirësimi i kushteve për gazetarët në palestra dhe në fusha sportive. Rregullimi i infrastrukturës për media i ndihmon transmetimit sa më të mire të ndeshjeve.

Ministrja i siguroi që stadiumet e terrenet të cilat do të jenë sipas kritereve dhe standardeve ndërkombëtare do të kenë hapësira të veçanta e komode për gazetarë e komentatorë.

Prapa