Ministrja Dumoshi mori pjesë në zbulimin e Rrathëve Olimpik

23.06.2020

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, kanë zbuluar sot Rrathët Olimpik.

Rrathët pesëngjyrësh që simbolizojnë pesë kontinente, janë vendosur nga KOK-u para shtëpisë së sportit në Prishtinë, ku ndodhen edhe zyrat e KOK-ut dhe shumë federatave sportive.

Me këtë rast ministrja Dumoshi tha se ky është një moment i veçantë dhe vendosja e këtyre Rrathëve do të ketë rëndësi të veçantë tek sportistët.

“Është një moment i veçantë, pasi ne jemi pjesë e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, e Lojërave Olimpike, dhe kemi kampion Olimpik, të cilët do të jenë figurat kryesore për frymëzimin e të rinjve. Prishtina është fisnikëruar me këta Rrathë Olimpik, të cilët kanë mesazh për zhvillimin e sportit dhe paqes së botës, andaj MKRS gjithmonë do të jetë krahu i djathtë në nismat e tilla, me qëllimin e vetëm që Kosovën ta dërgojmë përpara përmes sportit”, tha ministrja Dumoshi.

Po ashtu, ajo falënderoi presidentin Hasani për të gjitha aktivitetet dhe zhvillimin dhe ngritjen e Komitetit Olimik të Kosovës.

Ndërkaq, Presidenti i KOK-ut Besim Hasani e vlerësoi lartë praninë e ministres Dumoshi dhe rektorit Dema, dhe foli për rëndësinë që ka Dita Olimpike.

“Sot është Dita Olimpike, një ditë e veçantë për sportistët e Kosovës dhe komunitetin e sportit. Kjo ditë Kosovën e gjen në një moment të mirë, kur kemi pesë norma Olimpike nga xhudoja dhe një nga mundja, si dhe presim që edhe ndonjë sportist tjetër të kemi me normë Olimpike dhe të përfaqësohemi sa më mirë”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

Kujtojmë se Kosova në Lojërat Olimpike ka një medalje të artë Olimpike, falë xhudistës Majlinda Kelmendi. Lojërat Olimpike Tokio 2020 mbahen verën e vitit të ardhshëm.

Gjithashtu, ministrja Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Engelbert Zefaj dhe drejtori i Departamentit të Sportit, Iber Alaj, vizituan zyrën qendrore të KOK-ut, për të diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me sportin dhe zhvillimin e tij të mëtejmë në vendin tonë.

 

Prapa