Promovohet libri monografik për Nexhmije Pagarushën

21.09.2019

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në promovimin e librit monografik “Nexhmije Pagarusha”.

Libri është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha.

Ministri Gashi gjatë kësaj ceremonie solemne tha se Nexhmije Pagarusha në kohën kur Kosova nuk njihej shumë sa i përket kulturës, më zërin e saj u bë shkas që një vend i vogël i Ballkanit të prezantohej ndryshe.

“Ishte zëri i një vajze të re, që nuk e kishte të lehtë përballjen me kohën kur jetonte. Po flasim për vitet e ’50 dhe ’60. Aso kohe vajzat po përballeshin edhe me pamundësinë e shkollimit ndërsa Nexhmije Pagarusha pos një këngëtareje që qysh në fillet e karrierës shihej që do të shkëlqente, nuk e la me kaq. U shndërrua në një shkëlqim që hedhte shkëndiza drite tek bashkëmoshatarët e saj”, tha ministri Gashi.

Tutje ministri Gashi tha se zëri i Bilbilit të Kosovës, pos vokalit të bukur e magjepsës do të ishte thirrje për emancipim. E tillë është figura e saj edhe sot.

“Ministria e Kulturës, e ka për obligim që t’i shërbejë artit e artistëve. Pos kësaj ka për obligim që të jetë pranë vlerave të Kosovës. E fusha e muzikës identifikohet me vlerën që ka mbajtur, mbanë dhe do të mbajë emrin, Nexhmija Pagarusha. Qysh prej marrjes së mandatit si ministër, angazhimin tim e kam fokusuar në disa projekte kapitale. Midis tyre edhe përkujdesin për vlerat që do të jetojnë gjithmonë. E tillë është edhe vepra e zonjës Pagarusha”, theksoi ministri Gashi.

“Vitin e kaluar me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Qeveria e ka shpallur zonjën Pagarusha “Qytetare me merita të veçanta”, duke i ndarë edhe një pension për këtë titull. Sonte po promovojmë monografinë që paraqet jetën shumëngjyrëshe të këngëtares, ashtu sikurse edhe fotografia me të cilën është ilustruar ballina e librit. Sigurisht që Ministria e Kulturës për zonjën Pagarusha dhe për artistet që shënuan fillet e artit në Kosovë nuk do të ndalen me kaq”, tha ministri Gashi.

Po ashtu, ministri Gashi tha se “jemi në proces të nisjes së punës për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në fshatin e lindjes së këngëtares, në Pagarushë të Malishevës. Me këto projekte të realizuara ju them pa modesti se MKRS-ja dhe unë si ministër do të vazhdojmë të jemi në shërbim të artistëve sikur Nexhmije Pagarusha. Këtë do ta bëjmë jo vetëm se e kemi obligim si institucione, por edhe në respekt të atyre që përmes veprave na shtruan rrugën deri te identiteti i shteti që kemi”.
 

Prapa