Fondi për ndërmarrësit e rinj do të rritet në 3 milion euro

20.09.2019

Prizreni do të jetë nikoqir i Panairit të Punësimit, i cili do të zgjasë dy ditë, ku dhjetëra biznese që do të prezantojnë dhe ofrojnë punësim për të interesuarit.

Në hapje të Panairit mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili vlerësoi se ngjarje si kjo janë të mirëseardhura dhe jashtëzakonisht të rëndësishme si një mundësi shtesë për punësimin e qytetarëve, sidomos e të rinjve.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se si MKRS jemi të angazhuar maksimalisht ta përkrahim sektorin e rinisë, ku përpos themelimit të fondit të veçantë për të rinj, për vitin e ardhshëm këtë fond synojnë ta rrisim në 3 milionë euro.

“Nga hulumtimi që kemi bërë, ka rezultuar si vendim i drejtë pasi që aty janë hapur vende të reja apo edhe biznese të reja. Sigurisht sfide mbet papunësia, por nëse ky trend vazhdon edhe ne si ministri i shtojmë fondet, atëherë mund t’i ulim kërkesat për punësim. Padyshim mbetët punësimi si prioritet. Për vitin e ardhshëm ne kemi paraparë që ky fond të rritet dhe të bëhet 3 milionë euro”, tha ai, duke kujtuar faktin se pjesa më e madhe e shoqërisë së Kosovës i takon moshës rinore.

“Ne jemi munduar që t’i ofrojmë përkrahje kësaj shtrese dhe padyshim që do të vazhdojmë edhe më tutje t’i përkrahim të rinjtë. Ky fond është dedikuar në mbështetje të të rinjve, ku në Kosovë janë hapur 70 biznese”, tha ai.

I pranishëm në hapje të panairit ishte edhe Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha se si komunë çështjen e punësimit e kanë prioritet.

Panairi i organizuar në Prizren, sipas organizatorëve synohet të jetë tradicional i cili do të mbahet çdo vit.

 

Prapa