Gashi: Driton Kuka e Majlinda Kelmendi ngritën imazhin e Kosovës në botë, meritojnë shpërblimet

26.07.2019

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Lojërat Evropiane të mbajtura nga 21 deri më 30 qershor në Minsk të Bjellorusisë, në një vlerë të përgjithshme prej 150 mijë eurosh.

Në bazë të Rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, ministri Gashi i ndau shpërblimin prej 50,000 eurosh xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila fitoi Medaljen e Artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg. Ndërkaq, xhudistes Nora Gjakova i takoi shpërblimi në vlerë prej 30,000 eurosh, si fituese  e Medaljes së Argjendtë në kategorinë deri në 57 kg. Loriana Kuka u shpërblye me shumën prej 20,000 eurosh, si fituese e Medaljes së Bronztë në kategorinë deri në 78 kg. Driton Kuka, trajneri i tri xhudisteve që kanë fituar medalje në Lojërat Evropiane në Minsk të Bjellorusisë, mori shpërblimin prej 50.000 eurosh.

Ministri Gashi duke vlerësuar sukseset që kanë arritur sportistët e Kosovës tha se “Ministria do të vazhdojë të jetë në mbështetje dhe përkrahje tuajën, por jo vetëm për xhudon por për të gjitha disiplinat sportive dhe në mbështetje të vazhdueshme edhe për Federatën”.

Ai po ashtu tha se të gjithë ata sportistë që sjellin rezultatet do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Ministrisë. “MKRS-ja është e përkushtuar jashtëzakonisht që t’i mbështesë sportistë tanë që në vazhdimësi po i sjellin rezultate kulminante vendit tonë. Xhudistët janë vërtet krenaria jo vetëm e jona si Ministri por edhe e Republikës së Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve të Kosovës” tha ministri Gashi, duke shprehur falënderim edhe për trajnerin Kuka që si rezultat i punës dhe angazhimit të tij vijnë edhe këto suksese.

Nga ana e saj, xhudistja Majlinda Kelmendi falënderoi ministrin Gashi për fjalët, mbështetjen dhe përkushtimin që në vazhdimësi po e tregon për sportistët. “Është një mbështetje jashtëzakonisht e madhe nga ana e Ministrisë e kjo mbështetje është edhe një motiv për të punuar edhe më shumë në të ardhmen” u shpreh xhudistja.

Kurse trajneri Driton Kuka e falënderoi ministrin Gashi për punën dhe mbështetjen e vazhdueshme që po që po bën MKRS-ja në fushën e sportit. 

Prapa