Zëvendësministrja Bunjaku: MKRS-ja mbështet fuqishëm sportin dhe ka për qëllim të ngritë nivelin e sportit te femrat

06.06.2019

Zëvendësministret e Ministrisë  së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Bunjaku Morina dhe Burbuqe Bakia Deva, morën pjesë në Ditën Botërore të Sportit dhe Ambientit, e cila u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Në emër të ministrisë foli zëvendësministrja Leonora Morina Bunjaku.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte  sensibilizimi  dhe fuqizimi i rolit të femrës në sport. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kampione të shumta të sporteve ekipore dhe individuale, figura të larta të shtetit, deputete, figura të shquara të sportit, kulturës etj.

Me këtë rast zëvendësministrja Bunjaku tha se e veçanta e këtij viti është se për herë të parë po organizohet aktiviteti me femrat sportiste,  të cilat në vazhdimësi na bëjnë krenare për të arriturat e tyre në fushat e ndryshme të sportit, të cilat janë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distrie Krasniqi, Donjeta Sadiku, Uta Ibrahimi, Mrika Nikqi e shumë të tjera.

“MKRS-ja mbështet fuqishëm sportin dhe ka për qëllim të ngritë nivelin e sportit te femrat, duke përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Do të gjejmë mënyra për të bërë sensibilizimin e opinionit për sportin femëror, të masivizojmë, të përkrahim dhe të inkurajojmë gjithëpërfshirjen e femrës në punë të drejtpërdrejta organizative edhe si udhëheqëse në klube, federata dhe administrim të sportit” tha zëvendësministrja Bunjaku.

Tutje Bunjaku shtoi se mbështetja e MKRS-së vazhdon të jetë e fuqishme dhe kërkoi nga sportistët të ndërtojnë ura e jo mure sepse urat lidhin dhe na integrojnë si në bashkimin evropian po ashtu edhe përtej Atlantikut.

Prapa