Zëvendësministri Rexhep Mazreku priti në takim përfaqësues të Federatës së Bodybuildingut dhe Fitnesit të Kosovës

06.11.2018

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Mazreku, priti sot në takim kryetarin e Federatës së Bodybuildingut dhe Fitnesit në Kosovë, Esat Lata dhe sekretarin e kësaj federate, Sabri Dragusha.

Nga përfaqësuesit e Federatës, zv.ministri Mazreku u njoftua se Federata ka 12 klube aktive. Po ashtu ata folën edhe rreth aktiviteteve dhe garave në të cilat kanë marrë pjesë sportistë të kësaj federate dhe të cilët kanë arritur të jenë kampion bote, nënkampion dhe kampion evropian. Gjithashtu ata njoftuan zëvendësministrin në lidhje me Kampionatin Botëror në Spanjë ku do të përfaqësohet edhe Kosova.

“Të mërkurën me datën 07 të këtij muaji, do të udhëtojmë për në Spanjë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror ku do të përfaqësohemi me garuesin, Besart Maxharraj tek i cili kemi shpresa se do të na përfaqësojë denjësisht”, tha kryetari Lata.

Ndërkaq, zëvendësministri Mazreku, fillimisht falënderoi përfaqësuesit e kësaj federate për vizitën e tyre. Ai u shpreh i kënaqur me punën dhe aktivitetet e Federatës së Bodybuildingut dhe Fitnesit nga e cila po dalin sportistë të talentuar që po arrijnë suksese edhe në gara ndërkombëtare.

“Dua të shpreh falënderimin tim për këtë vizitë dhe veçanërisht për sportistët e kësaj federate të cilët po arrijnë të bëhen kampion në gara ndërkombëtare. Unë si zëvendësministër premtoj mbështetje për këtë federatë dhe po ashtu ju bëj me dije edhe një herë se do të vazhdoj të jem i gatshëm për bashkëpunuar edhe në të ardhmen, në mënyrë që bashkëpunimi mbështetja jonë për sportistët e Federatës së  Bodybuildingut dhe Fitnesit, të jetë jo vetëm motivuese por edhe frytdhënëse”, u shpreh ndër të tjera zëvendësministri Mazreku.

Zëvendësministri në fund uroi suksese për përfaqësuesin e Kosovës në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Spanjë, Besart Maxharraj.

Prapa