Në Muze u hap faza e parë e projektit “Prishtina: Qyteti i Nderit dhe Mirënjohjes”

23.10.2018

Në Muzeun e Kosovës u hap ekspozita “Prishtina: Qytet i Nderit dhe Mirënjohjes”, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu i Kosovës dhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë, ku u prezantua vepra artistike që tregon për rrugëtimin e Prishtinës nëpër etapa të ndryshme historike.

Në hapje të ekspozitës mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili e konsideroi këtë vepër si një punë të mrekullueshme, e cila do ta rendisë Prishtinën në mesin e qyteteve botërore që mbajnë vulën e ndërtimit të paqes.

“Në cilësinë e Ministrit të Kulturës, dua të ju përgëzojë të gjithëve që jeni angazhuar në projekt, dhe sot të gjithë ne, kemi arsye të ndihemi mirë për faktin se, deri në këtë fazë, ja keni dalë t’i realizoni me sukses përkushtimet dhe detyrat tuaja”, ka thënë ministri Gashi, duke premtuar se MKRS-ja do të vazhdojë të mbështesë menaxhmentin e Muzeut të Kosovës, në mënyrë që vepra monumentale por edhe dokumentet e artit që janë krijuar në fazën e dytë, të promovohen dhe të rrugëtojnë nëpër vendet e tjera, si pjesë e përkushtimit për të treguar storien e Prishtinës dhe të Kosovës, përmes këtyre veprave të jashtëzakonshme që janë punuar.

“Kemi shumë arsye për ta bërë këtë. Së pari se përkushtimet e shtetit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e vazhdueshëm të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit me përmbajtjen e qëllimeve dhe mesazheve të projektit të zhvilluar në të dy fazat, janë tërësisht në harmoni me njëra tjetrën. Prandaj, kemi arsye të ndihemi mirë që institucionet tona të trashëgimisë kulturore, në këtë rast Muzeu i Kosovës, me ndihmën e programeve mbështetëse të aleatit tonë më të madh SHBA’së, po arrijnë që jashtëzakonisht mirë t’i transmetojnë këto përkushtime për paqe mirëkuptim dhe tolerancë”, tha ministri.

Ai porositi studentët dhe të angazhuarit në projekt së bashku me mentoren e tyre Ellen Frank që të japin më të mirën në veprën e tyre ashtu që ata të reflektojnë vlerat e Republikës së Kosovës në mënyrë të shkëlqyeshme. “Veprat e artit ndonjëherë flasin më shumë dhe më fort se sa fjalët e politikës”, ka thënë mes tjerash ministri Gashi.

Ellen Frank, drejtoreshë artistike e Organizatës “Qytetet e Paqes” – eksperte këshilluese nga Programi i Fullbright Specialist, ka thënë se kjo nuk është punë personale, por e të gjithëve të dhe ka falënderuar artistët e rinj të veprave të sotme dhe ka dekoruar ata.

“Kjo nuk është për mua, është për ju, dhe është bërë nga ju. Dua t’ju tregoj një histori të shkurtë, ekzistojnë histori të ndryshme dhe një nga ato që më pëlqen është ajo e dritës së artë. Drita e artë jeni ju. Është detyrë e neve, me qeverinë, ministritë, artistët, profesorët të kapin këto copëza të dritës dhe t’i bashkojnë”.

Prapa