Ministri Gashi: Përherë të parë në Kosovë do ta zhvillojmë sportin e Rugby-t

30.09.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell kanë marr pjesë në turneun e “Mini Rugbyt”.

Me këtë rast ministri Gashi tha se “sot jam këtu bashkë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për të promovuar një prej sporteve i cili i ka munguar Kosovës, pra sportin e Ragbyt, është sport jashtëzakonisht atraktiv dhe ne si MKRS jemi të përkushtuar që në Kosovë të ketë sa më shumë lloje të sporteve dhe njëri prej tyre është sporti i Ragbyt”, tha ministri Gashi.

“Sot jam këtu për të parë se si të rinjtë tanë janë të interesuar për këtë sport, dhe bashkë me  ambasadorin do të dakordohemi se kur do të fillojmë investimet për ndërtimin ndonjë fushë për këtë lloj sporti, sepse besoj fuqishëm që do të ketë interesim të madh  nga shumë të rinj tanë dhe veçanërisht nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe që bashkërisht do ta promovojmë këtë sport në Republikën e Kosovës”, tha ministri Gashi.

Po ashtu ministri tha se “ne jemi pjesë e mbështetjes së këtij organizimi bashkë me klubin që e ka iniciuar këtë aktivitet nga Peja dhe me ambasadën e Britanisë në Kosovë, dhe së shpejti do ta licencojmë federatën e Ragbyt, dhe përmes federatës do t’i mbështesim klubet financiarisht ashtu siç jemi duke i mbështetur federatat tjera”.

Ndërkaq Ambasadori i Britanisë në Kosovë Ruairi O’Connell tha se \"deri tash kemi pasur mbështetje maksimale prej ministrisë së sportit  edhe prej komunitetit olimpikë të Kosovës, këta janë hapat e parë për një sport të ri në Kosovë, por ragbi nuk është për ata që i mungon trimëria, dhe në Kosovë nuk mungon trimëria, këtë e di shumë mire\", ka thënë Connell.

“Më vjen shumë mirë që ka interesim kaq të madh për ragbyn në Kosovë, ka kosovarë, shqiptarë po edhe serbë të Kosovës që luajnë jashtë vendit dhe shpresojmë që do ta popullarizojmë sportin e ragbyt edhe në Kosovë\", ka thënë Connell.

Prapa