Ministri Gashi: Jemi të angazhuar në ngritjen e përqindjes së pjesëmarrjes në aktivitete sportive

27.09.2018

Sot, në Sheshin “Skënderbeu” , në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës ka hapur Panairin e Sportit, qëllimi i të cilit është që klubet sportive të komunave të paraqesin ofertat e tyre tek fëmijët e shkollave fillore, të cilët vendosin se cili sport është më atraktiv dhe më joshës për t’u marrë me të.

Në këtë panair mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili shprehu kënaqësinë për këtë organizim të Komitetit Olimpik.

Ai, përveç tjerash theksoi edhe faktin që “organizimi i Javës Evropiane të Sportit, bashkëpunimi i Ministrisë me Komitetin Olimpik të Kosovës, me federatat e sporteve të ndryshme, në të njëjtën kohë edhe me klube të ndryshme, ka bërë dhe është dëshmia më e mirë se një bashkëpunim i mirë e masivizon dukshëm sportin në Kosovë, edhe për faktin që nga statistikat, një numër shumë i ulët i të rinjve tanë marrin pjesë në sport. Kjo na bën të gjithëve të bashkohemi e të koordinohemi që dokumentet tona strategjike të kenë ndryshime dhe objektivë të qartë ta kenë ngritjen e pjesëmarrjes në aktivitete sportive”.

Ministri Gashi në fund tha: ”Unë si ministër dhe të gjitha federatat dhe komiteti olimpik do të jemi fuqishëm të angazhuar që gjatë vitit 2019 të punojmë që qytetarët të jenë pjese e aktiviteteve sportive, që ta ngritim përqindjen e pjesëmarrjes në aktivitete sportive”.

 

Prapa