Ministri Gashi merr pjesë në Konferencën “Siguria Njerëzore, Problemi dhe Reagimi Institucional”

20.09.2018

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes Departamentit të Rinisë, ka mbajtur sot konferencën “Siguria Njerëzore, Problemi dhe Reagimi Institucional”.

Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, trafikimit të qenieve njerëzore, delikuencës të të miturve, sfidat dhe reagimi institucional.
 
Me këtë rast ministri, Kujtim Gashi, prezantoi politikat e Ministrisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për sigurinë njerëzore të të rinjve në Kosovë, konkretisht për strategjinë e re nacionale për rini 2018-2022. Ai tha se këtë strategji, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka hartuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së dukurive negative të cilat cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e rinisë.

Ministri Gashi foli rreth transparencës dhe llogaridhënies të punës së shoqërive civile, përkatësisht organizatave dhe qendrave rinore të komunave të Kosovës, me të cilat janë bërë marrëveshje të kontraktuara. “Ne sot njëkohësisht do të vlerësojmë punën dhe angazhimin, rekomandimet që kanë dalë drejtpërdrejtë nga qindra, mijëra të rinj anembanë Kosovës, përmes projekteve të mbështetura nga MKRS”, tha ministri Gashi.

“Ngjarjet e tilla si fushata në TV, radio debatet, tryezat e diskutimit në komuna të ndryshme, shpërndarja e materialeve të shtypura dhe prezantimi i tyre në rrjetet sociale dhe mediet elektronike, kam parë që kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve dhe komunitetit në përgjithësi”, vlerësoi Gashi.

Ai po ashtu tha se qëllimi i tij si ministër është që të krijohet një mjedis i sigurt për të rinjtë. “Përpos familjes si bërthamë e rëndësishme e funksionimit të duhur të sistemit shoqëror, në kohët e sotme një pjesë bukur e madhe e barrës  bie edhe organizatave të shoqërisë civile, sidomos të Organizatave Rinore. Për këtë qëllim MKRS do të mbështesë ato dhe nismat e ndryshme që merren me promovimin e mjedisit të sigurt përmes granteve në baza vjetore.  Mbështetja nuk do të kufizohet vetëm në ndërgjegjësim për rëndësinë e të pasurit një mjedis të sigurt brenda Kosovës por edhe për nismat tjera rajonale dhe ato ndërkombëtare”, përfundoi ministri Kujtim Gashi.
 

Prapa