Ministri Gashi: Çështja e ujërave të zeza do të zgjidhjet shumë shpejt në Teatër e Bibliotekë

05.04.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të inspektuar objektet e këtyre dy institucioneve kombëtare të kulturës.

Ministri ka parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhen objektet dhe dëmet që janë shkaktuar nga ujërat e zeza në hapësirat e nëndheshme të tyre.

Ministri Gashi pas inspektimit është shprehur se gjendja e tyre është shumë e keqe dhe shumë shpejt ministria do të ndërmerr të gjitha hapat në koordinim edhe me institucionet dhe organet kompetente, për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që të evitohen dëmet.

“Me rastin e vërshimet të ujit dhe dëmtimin e kanalizimit në objektin e Teatrit isha të shoh nga afër çka ka ndodh aty. Unë ju bëj thirrje institucioneve dhe kompanisë së ujësjellësit të marrin seriozisht punën. Aty është edhe ora e rrymës dhe kemi mundësi që të krijohet problem më i madh”, u shpreh ndër të tjera ministri.

Edhe në vizitën që realizoi në Bibliotekën Kombëtare, ministri, theksoi se në qershor do të bëjnë një plan konkret për ta zgjidhur problemin e ujërave të zeza, kanalizimit dhe evitimin e lagështisë në hapësirat ku janë të ruajtura ekzemplarët. “Dimri që vjen, Biblioteka nuk do ta ketë më problemin e kanalizimit dhe lagështisë”, ka thënë ministri Gashi.

“Ne biseduam me e menaxhmentin për intervenimet që do ti bëjmë gjatë vitit 2018. Ky objekt nuk ka as kanalizim e nuk ka as mbrojtje nga lagështia. Ne po punojmë në rishikimin e buxhetit dhe jemi duke shikuar për të investuar në ruajtjen e të gjithë atyre ekzemplarëve”, tha ministri, duke shprehur përkushtimin e ministrisë për investim në Bibliotekën Kombëtare. “Po e shihni që kemi trashëguar probleme të mëdha, jemi të interesuar të intervenojmë dhe të investojmë shpejt”, ka thënë ai.

Po ashtu, ministri Gashi ka folur edhe për zgjidhjen e çështjes së vendosjes së përhershme në objektin e vet të Baletit të Kosovës. “Ju e dini qe jemi në fazën fillestarë të ndërtimit të një objekti të ri të operës pjesë e saj do të jetë edhe baleti”, ka thënë ministri Gashi në një intervistë për media.

Ndërkaq, drejtuesit e këtyre institucioneve e kanë vlerësuar vizitën dhe gatishmërinë e ministrit për të zgjidhur problemet në infrastrukturën fizike të objekteve.

Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se është nevojë urgjentë rregullimi i hapësirave në mënyrë që të mos dëmtohen ekzemplarët. “Mendoj që është lajmi më i mire që i jepet kulturës për intervenim. Biblioteka i ka dy projekte që duhet të realizoj. Projekti i parë ka të bëjë me rregullimin e ngrohjes, problemit te kanalizimit dhe çështje tjera teknike ndërkaq Projekti i dytë është projekti i rinovimit të bibliotekës. Një institucion me kredibilitet të madh ka marr Bibliotekën Kombëtare për të hyrë në konservim si projekt i rëndësishëm. Çdo kompani që do të vjen do të ketë dy projekte që nuk do ta lënë me gabuar në asnjë rast në intervenimin për bibliotekën”, tha ai.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtorit të teatrit Kombëtarë Kumrije Hoxha tha se presin që shumë shpejt çështja e ujërave të zeza të zgjidhet. “Shpresoj që problemi do të zgjidhet shumë shpejt sepse nuk mund të mbahen shfaqjet dhe besoj që do të kryhet shumë shpejt”, tha ajo.

Prapa