Hoti takoi Ministrin e Kulturës të Maqedonisë dhe drejtuesit e Tradukit

17.03.2018

Zëvendësministri Rexhep Hoti ka vizituar Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë, më i vjetri në botë, që edicioni i sivjetmë është i 853-ti me radhë.

Hoti, i shoqëruar nga këshilltarja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, Shota Bukoshi, ka zhvilluar një sërë takimesh në margjinat e Panairit ku ka prezantuar punën që po realizon Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës në arritjen e objektivave që ka për politikat e librit, në përkrahjen e botimit të tij, në blerjen e librit dhe shpërndarjen e tij në rrjetin bibliotekar të Kosovës dhe për rritjen e bashkëpunimit nëpërmjet projekteve konkrete dhe shkëmbimit të përvojave të mira dhe ekspertëve.

Në takime të ndara Zëvendësministri Hoti ka takuar Robert Alagjozovski, Ministrin e Kulturës të Republikës së Maqedonisë, Arvid Enders, Shefin e Divizionit për art, literaturë e film të Institutit Goethe, institucion ky në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, dhe me Antje Contius e Hana Stoic, përfaqësueset e larta të rrjetit evropian të librit e letërsisë Traduki.

Zëvendësministri Hoti dhe Ministri Robert Alagjozovksi diskutuan për nevojën e rritjes së shkëmbimit kulturor mes Kosovës e Maqedonisë, pasi që tashmë ka vite që marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës është nënshkruar mes dy vendeve fqinje. Kjo marrëveshje ka hapur rrugën që institucionet e kulturës të dy vendeve të komunikojnë drejtpërdrejtë për të parë mundësitë e realizmit të projekteve të përbashkëta apo të shkëmbimit së përvojave dhe profesionistëve.

Në diskutimin që ka zhvilluar Hoti me përfaqësueset e Tradukit ka kërkuar që Kosova të bëhet anëtare më të drejta të plota në këtë rrjet të rëndësishëm evropian si dhe të përkrahet më shumë përkthimi i literaturës së Kosovës në gjuhët europiane dhe anasjelltas, autorë të njohur evropian të sillen në shqip, për çka Hoti mori edhe mbështetjen e drejtuesve të Tradukit.

Ndërsa, në takimin me shefin për art, literaturë e film të Institutit Goethe, Arvid Enders, përpos njoftimit me punën dhe politikat e MKRS-së në përkrahje të kulturës në përgjithësi, Hoti, bisedoi me Enders për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit jo vetëm në fushën e librit, por edhe në artet tjera, veçanërisht në fushën e filmit, ku tashmë Kosova ka një depërtim ndërkombëtar në pjesëmarrje dhe prezantim të suksesshëm në festivalet më me renome anekënd Botës.

Prapa