Ministrat Kujtim Gashi dhe Mirela Kumbaro pajtohen të sjellin eksponatet e Isa Boletinit në Kosovë

31.01.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, qëndroi në Tiranë për të realizuar vizitën e tij të parë zyrtare, me ç’rast ka takuar homologen e tij, Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi.

Ministri Gashi gjatë takimit me Ministren Kumabaro ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikim e bashkëpunimit edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve.

Ndër temat konkrete të bashkëpunimit të dy ministrive të kulturës asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për vitin 2018 u nënvizua nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën në të dyja vendet, gjë e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt. Marrë parasysh që viti 2018 është shpallur edhe Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, dy ministrat u pajtuan që të ketë më shumë aktivitete për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi për shqiptarët.

Ministri Gashi, me këtë rast, ka kërkuar nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa eksponateve që i përkisnin heroit kombëtar Isa Boletinit, për të qenë pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, që do të hapet më 17 Shkurt – Përvjetorin e Dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ekspozimi i gjërave që i përkasin Isa Boletinit në Muzeun e Kosovës është një ngjarje me rëndësi për kulturën dhe historinë tonë, meqë kjo është një dëshmi që personalitetet nga Kosova kanë dhën shumë për cështjen kombëtare.

Ministri Gashi ka shtuar: “Biseduam, po ashtu, rreth aktiviteteve të përbashkëta që do t’i kemi edhe me shënimin e 10-vjetorit të vitit jubilar të shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, për çka kërkova që të kemi dhe aktivitete të përbashkëta Kosovë-Shqipëri”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se fokus i diskutimit me homologun e tij kosovar ishte përgatitja për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë; si dhe diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve.

Ministri Gashi, gjatë ditës ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të përgjimeve “Shtëpia e gjetheve” si dhe ka takuar drejtues të institucioneve të kulturës në Shqipëri.

Prapa