Hoti takoi profesorin nga IAGJ, prof. dr. Friedrich Lüth

26.09.2015

Zëvendësministri Rexhep Hoti ka pritur në takim prof. dr. Friedrich Lüth, Drejtor për Çështje të Trashëgimisë Kulturore në Institutit e Arkeologjisë të Gjermanisë (DAI – Deutsches Archäologisches Institut) me bashkëpunëtorët e tij.

Qëllimi i vizitës së prof. Lüth dhe temë diskutimi e takimit ishte vlerësimi i bashkëpunimit të deritashëm dhe thellimi i tij në kuadër të partneritetit mes Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e arkeologjisë.

Zëvendësministri Hoti u njoftua nga dr. Lüth për të arriturat e deritashme në fushën e bashkëpunimit të arkeologjisë me theks të veçantë, në lokalitetin antik të Ulpianës, ku në vitin e fundit ka pasur përparime të dukshme. Gjithashtu, profesori gjerman e informoi Hotin se po e përgatit raportin e punës 2009 – 2012 për bashkëpunimin që kanë pasur me Institutin e Arkeologjisë të Kosovës, pasi që në këtë drejtim ka qenë e nënshkruar edhe një memorandum për bashkëpunim në vitin 2009.

Ndër të tjera, profesori i arkeologjisë kërkoi gjithashtu që të avancohet edhe më shumë bashkëpunimi edhe me popullatën, sidomos në vendet ku janë monumentet arkeologjike në mënyrë që të mos ketë pengesë në mbarëvajtjen e gërmimeve arkeologjike dhe punëve tjera.

Nga ana e tij, zëvendësministri Rexhep Hoti e falënderoi profesorin Lüth për kontributin e tij profesional dhënë për arkeologjinë në Kosovë. Ai i ofroi mbështetje të plotë profesorit të Institutit të Arkeologjisë të Gjermanisë dhe shprehu gatishmërinë e MKRS-së për vazhdimin e bashkëpunimit dhe të partneritetit me institucionet përkatëse gjermane me qëllim të instalimit të një tradite të mirëfilltë të punës dhe veprimtarisë arkeologjike edhe në Kosovë, për të cilën vendi ynë ka nevojë shumë.

Zëvendësministri gjithashtu theksoi katër prioritetet arkeologjike të cilat jo vetëm do të dëshmonin për autoktoninë tonë por do t’ia ndryshonin substancën dhe formën e qytetërimit perëndimor të hapësirave ballkanike.

Këto prioritete që Hoti dhe MKRS-ja i shohin jetike dhe pritet intensifikimi i punës, janë Ulpina, Dresniku, Novobërda dhe kishat paleokristiane në Kosovë.

Në takim zëvendësministri Hoti ishte i shoqëruar nga Drejtori i Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, Enver Rexha.

Prapa