Biografia

Halil Matoshi

Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

I lindur në Kamenicë me 24 teor 1961, ka studiuar Filozofi-Sociologji në UP.

Me profesion është gazetar/opinionist dhe shkrimtar.

Ndër themeluesit (me Blerim Shalën) e organizatës demokratike “Parlamenti Rinor”, 1990 dhe Kryetar i saj.

I arrestuar më 1990 nga regjimi serb dhe i liruar nga Gjykata Supreme e Kosovës, pas dy javësh.

I marrun peng lufte më 21 maj 1999 nga forcat serbe, ka vuajtur afër një vit në Kampet e Përqëndrimit, Lipjan (Kosovë) dhe Pozharevc (Serbi);

Ka punuar gazetar që nga viti 1984 në gazetën e studentëve “Bota e re”, pastaj në “Zëri i rinisë”, (1984-1990) dhe në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, (1990-2004), ku ishte redaktor.

Po ashtu ishte kryeredaktor i revistës mujore për kulturë e teori “Sheshi”, (1997-2004.)

Redaktor përgjegjës në gazetën “Lajm”, (2004-2006) dhe në gazetat Express (2007-2010) dhe kolumnist e redaktor kulture në Koha Ditore, (2010-2017).

Është shpallur tre herë “Gazetar i Vitit” në Kosovë, nga Gazeta “Rilindja” (1989) dhe nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, (2001 dhe 2004).

Ishte autor i emisionit “Forum” në RTK, (2008-2009) si dhe analist politik në emisionin Click të RTV 21 (2014-2017) dhe në T7 (2020);

Gjatë mandatit të Qeverisë Haradinaj 2, ishte këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Shkruan poezi, tregime dhe eseistikë. Është autor i librave “Frymë varresh në dallgore” (poezi), ‘bota e re” 1988; “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (libër mikst, poezi, tregime, skica letrare), 1994; “Lajmësi memec” (tregime) 1996; “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe” (ditar lufte dhe ese) 2000; “Hija e Krishtit” (poezi), 2004, “Katedralë letre: Qyteti i fundit dhe shtëpia, Saga për Prishtinën, njerëzit e saj dhe tregime tjera, 2011 (ese dhe portrete) dhe “N’zanafillë”; poezi, 2013;

Poezi të tij janë botuar në gjermanisht (Graz e Leipzig), rumanisht (Bukurest), anglisht (Prishtinë e New York), spanjisht (Meksiko City), greqisht (Athinë, 2010) dhe në gjuhën rome, Prizren 2013.

Është anëtar i Këshillit Qendror të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës