Biografia

Daulina Osmani

Zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Daulina Osmani ka lindur më 9 shkurt 1993 në Prishtinë. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Ka përfunduar magjistraturën në “Menaxhim Sportiv” në Universitetin e Seulit, Kore të Jugut.

Daulina Osmani për 10 vite ka zhvilluar karrierën e saj si sportiste aktive – pjesë e Reprezentacionit të Kosovës në not. Notare kampione e trojeve shqiptare gjatë viteve 2003-2009, dhe mbajtëse e 23 rekordeve të Kosovës në shumë disiplina të sportit të notit. Vitin e fundit të karrierës si notare aktive Daulina Osmani e zhvilloi në Kroaci.

Në 7 vitet e fundit – në rolin e trajneres së notit, kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve të sportistëve notarë përmes programeve për identifikimin dhe zhvillimin e talentëve të rinj të notit. Iniciuese e kauzave të ndryshme të ndërlidhura me organizimin dhe qeverisjen e organizatave sportive në vend.

Daulina Osmani për vite me radhë u angazhua në disa federata vendore si përfaqësuese e zërit të studentëve, sportistëve dhe trajnerëve. Ishte pjesë e komisioneve punuese për përzgjedhje të sportistëve më të mirë të vitit.