Profili

Galeria e Arteve e Kosovës u formua në vitin 1979 si institucion kulturor për prezantimin e artit pamor dhe ruajtjen e mbledhjen e veprave më me vlerë. Për këto 30 vjet të veprimtarisë ky institucion ka organizuar afro 500 ekspozita në vend dhe në botën e jashtme, të cilat janë përcjellë me shumë botime, dhe blerjen e qindra punimeve artistike nga të cilat është formuar një fond i pasur i Galerisë.

Vetëm pas luftës së fundit janë organizuar mbi 200 ekspozita kolektive e individuale, kombëtare e ndërkombëtare, ku kanë ekspozuar mijëra e mijëra artistë. Veprat e tyre u vizituan dhe u shijuan nga qindramijëra artdashës, nga më shumë se 200 delegacione ndërkombëtare, nga personalitete të njohura të jetës politike dhe kulturore, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annani e deri te shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare.